Konjufca dhe Osmani mund të dërgohen në Gjykatën Kushtetuese
Tashmë po mbushen katër muaj nga mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe më në fund vendi ka institucionet e reja, pasi janë zgjedhur si drejtuesit e Kuvendit të Kosovës ashtu edhe ata të Qeverisë. Por, procedurat e zgjedhjes së këtyre institucioneve po i vë në pikëpyetje një subjekt politik i Kosovës, i cili pretendon se janë bërë edhe shkelje kushtetuese.
Në fakt është Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), e cila ka kundërshtuar ashpër mënyrën e zgjedhjes së Vjosa Osmanit si kryeparlamentare e Kuvendit të Kosovës.
AAK ka kritikuar edhe mënyrën e emërimit të Glauk Konjufcës nga kryeparlamentar në ministër të Punëve të Jashtme të Kosovës.
Deputeti i AAK-së, Shkumbin Demalijaj, ishte i vetmi mbrëmë që nga opozita ka qëndruar në sallë gjatë seancës kur është bërë zgjedhja e kryeparlamentares, pasi kolegët e tij opozitar kishin lëshuar sallën.
Demalijaj kishte kërkuar fjalën që të kundërshtonte zgjedhjen e Osmanit në krye të Kuvendit, mirëpo një gjë e tillë nuk kishte ndodhur pasi që kryesuesja e Kuvendit njëherit edhe nënkryetarja, Arbërie Nagavci, nuk la hapësirë për debat.
E deputeti Demalijaj ka pretenduar që gjatë këtij procesi ka pasur shkelje të Kushtetutës.
Në një prononcim për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, Demalijaj tha se kanë dyshime se në procesin e djeshëm ka pasur shkelje të Kushtetutës dhe nesh e evidentojnë këtë, i njëjti proces do të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese.
Ai ka thënë se AAK është duke e konsultuar edhe anën procedurale se si ka shkuar formimi i Qeverisë.
“Jemi duke e konsultuar anën procedurale sepse është në pyetje akti i nënshkrimit të themelimit të Qeverisë nga Kuvendi dhe një format tjetër ku pas 2 orësh nxirret si ministër. Natyra e protokollit të dorëzimit të detyrës së Konjufcës deri tek Osmani është shumë konfuze, sepse ai e ka deklaruar gjatë seancës që nuk ka dhënë dorëheqje dhe kjo ndërlidhet me pyetjen që ia bënë deputetja Haxhiu gjatë seancës a keni dhënë dorëheqje apo jo. Jemi duke e shikuar pasi ka konfuzion, por nuk kemi konstatuar ende nëse është bërë ndonjë shkelje dhe nëse ajo ndodhë sigurisht se do t’i drejtohemi Kushtetueses”, ka thënë deputeti Demalijaj.
Mirëpo njohësit e çështjeve juridike e kushtetuese nuk po e shohin procesin e zgjedhjes së Qeverisë dhe kryetares së Kuvendit të Kosovës, si shkelje të Kushtetutës.
Riza Smaka, njohës i kësaj fushe, në një prononcim për Fakteplus ka sqaruar se a pati ose jo shkelje të procedurave gjatë ditës së djeshme kur është bërë kalimi i detyrës së Konjufcës tek Osmani.
“Është rregull e mirënjohur që kur një person e fiton një post atë e mban deri në momentin kur për arsye të sëmundjes apo diçka tjetër ia pamundëson mbajtjen e funksionit. Sipas rregullave elementare Konjufca është dashur të shkarkohej dhe më pastaj të zgjedhet ministër dhe të lirohej vendi që të zgjedhej tjetri kryeparlamentar”, ka thënë Smaka.
Ai tutje ka vlerësuar se e tërë kjo nuk përbën shkelje të rëndë të Kushtetueses, pasi që është vetëm shpërfillje e procedurave të Kuvendit.
“Nuk është ndonjë shkelje e rëndë kushtetuese për shkakun se kjo është sublimuar sepse vetëm nuk është përfillë rendi, ndërsa në aspektin kushtetues nuk kemi shkelje këtu. Ky e ka braktisur vendin e kryetarit të Kuvendit duke e autorizuar Arbërie Nagavcin, dhe në mënyrë të heshtur i bjen që ai ka dhënë dorëheqje. Kjo nuk është shkelje e rëndë Kushtetuese, por vetëm shpërfillje e procedurës sepse vendimi është që Osmani është zgjedhur me votat të rregullta”, ka thënë ai.
Ndryshe dje deputetët me shumicë të votash e kanë zgjedhur Qeverinë e re të Kosovës.
Krijimi i Qeverisë erdhi si rezultat i nënshkrimit të marrëveshjes mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Kështu Albin Kurti është zgjedhur kryeministër me me 66 vota pro dhe 10 abstenime, kurse Vjosa Osmanin si kryeparlamentare mori 65 vota pro./FaktePlus