Kongresisti republikan kërkon largimin e Trumpit nga Zyra Ovale
Republikani Adam Kinzinger i ka bërë thirrje nënpresidentit aktual amerikan, Mike Pence që të aktivizojë amendamentin e 25 të Kushtetutës amerikane dhe të marrë përgjegjësit e presidentit, pasi sipas tij, presidenti Donald Trump ka “abdikuar” nga detyra e tij për të mbrojtur popullin amerikan.
“Fatkeqësisht, dje u pa se presidenti jo vetëm që ka abdikuar nga detyra e tij për të mbrojtur popullin amerikan dhe Kongresin”, tha Kinzinger, që është përfaqësues i qarkut të 16-të të Illinois në Kongresin amerikan.
Kinzinger tha se presidenti aktual, Donald Trump me veprimet e tij nxiti edhe më shumë situatën më 6 janar, kur mbështetësit e tij, hynë me dhunë në ndërtesën e Kongresit, ku po mbahej seanca për konfirmimin e fitores në zgjedhjet presidenciale, të demokratit Joe Biden.
“Është koha për të aktivizuar amendamentin e 25-të dhe t’i japim fund këtij makthi”, tha ai, duke argumentuar se nënpresidenti Pence dhe anëtarët e kabinetit duhet që të sigurohen, që deri në inaugurimit të Bidenit si president, më 20 janar, qytetarët amerikanë të jenë të sigurt.
Më 6 janar, protestuesit e dhunshëm, përkrahës të Trumpit ndërprenë për disa orë punimet e seancës së përbashkët të Kongresit. Në këtë ngjarje mbetën të vdekur katër persona, njoftuan autoritetet.
Kongresi më pas vazhdoi punimet dhe certifikoi fitoren e Bidenit