Konflikt mes profesorëve në Fushë Kosovë, shkak ndarja e orëve
Një ngjarje e pahijshme ka ndodhur ditë më parë në një shkollë të komunës së Fushë Kosovës. E protagonistë nuk kanë qenë nxënës problematikë, por profesorët e shkollës. Ata mosmarrëveshjen e nisur qysh në muajin gusht të vitit 2019 e acaruan ditëve të fundit dhe për këtë shkak njëri nga ta është suspenduar nga puna.
Në fakt mosmarrëveshja e acarimi i thellë ndërmjet një profesori e një profesoreshe ka ndodhur për shkak të orëve mësimore. Ata nuk ishin pajtuar se si t’i ndajnë orët dhe këtu më i zëshëm kishte qenë profesori, ndaj të cilit për shkak të sjelljeve edhe janë marrë masa.
Bëhet fjalë për Mehdi Berishën- profesor i Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit, në Gjimnazin “Hivzi Sylejmani”, në Fushë Kosovë, i cili është suspenduar për 50 ditë nga Drejtoria e Arsimit të kësaj komune.
E arsye del të jetë konflikti në ndarjen e orëve me një kolege po të njëjtës lëndë mësimore, shkruan FaktePlus
Acarim i marrëdhënieve ndërmjet profesorëve Mehdi Berisha dhe Vlora Baca kishte filluar qysh në gusht të vitit të kaluar kur edhe është bërë ndarja e orëve për vitin akademik 2019/2020.
Profesori Berisha, sipas zyrtarëve nga komuna e Fushë Kosovës, nuk kishte pranuar mënyrën e ndarjes së 30 orëve mësimore me kolegen e tij në këtë gjimnaz.
Ai nuk kishte pranuar të ndahen për gjysmë këto orë si dhe kishte notuar nxënësit e klasave të ndara në emër të profesoreshës.
Kjo ka bërë që me këtë rast të merret edhe Drejtoria e Arsimit e komunës së Fushë Kosovës, ku edhe ka bërë ndarjen e orëve në mënyrë të barabartë për profesorët.
Ndonëse FaktePlus ka arritur të kontaktoj direkt e të flet për këtë çështje me profesorin Berisha, ky i fundit ka hezituar të jap deklaratë për rastin.
Redaksi ka tentuar të gjejë edhe ndonjë kontakt të profesoreshës Vlora Baca, por nuk kemi arritur të gjejmë adresë të saj.
Sido qoftë, tërë ngjarjen e ka sqaruar për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, drejtori i DKA-së në Fushë Kosovë, Islam Shabani, i cili bëri të ditur se e ka suspenduar profesorin në fjalë pasi që nuk kishte respektuar vendimin e Drejtorisë së Arsimit për ndarjen e orëve.
Shabani ka thënë se profesori është suspenduar pas vendimit të komisionit disiplinor për 50 ditë.
“E kemi suspenduar për 50 ditë profesorin në fjalë, për shkak se nuk e ka respektuar vendimin e drejtorit ka qenë fjalë mes dy profesorëve të TIK-ut. Ata nuk kanë mundur të merren vesh mes vete për ndarjen e orëve dhe më mbetet mua që të ndërhyjë në ndarjen e orëve, sepse nuk mundemi ta lëmë ashtu situatën. Ai nuk ka dashur ta respektoj atë vendim edhe e kam suspenduar edhe për shkeljen për mos respektimin e drejtorit komunal”, ka thënë Shabani.
Tutje, drejtori i Arsimit në Komunën e Fushë Kosovës, ka pohuar se vendimi për suspendim është marrë pasi profesori Mehdi Berisha nuk i ka pasur sjelljet e mira, si dhe është fjalosur edhe me kolegë të tjerë rreth kësaj çështje.
“Ai nuk është sjell mirë, ka vendos nota në rubrikën e profesoreshës në fjalë edhe për shkak se ka pasur fjalosje me kolektivin e asaj shkollës ne kemi marrë atë vendim. Ne do ta kthejmë në vendin e punës që me kusht me respektu vendimin e Drejtorisë së Arsimit”, tha Shabani.
E mosmarrëveshjen mes profesorëve e ka konfirmuar edhe drejtori i Gjimnazit “Hivzi Sylejmani”, Amir Pllana.
Edhe ky në nj prononcim për FaktePlus ka thënë se profesorët nuk kanë mundur të merren vesh për ndarjen e orëve mësimore si dhe është dashur ndërhyrja e drejtorisë për ndarje të barabartë të orëve.
Pllana thekson se të dy profesorëve iu është ndarë norma e plotë duke përfshirë edhe lëndë zgjedhore, por që i njëjti profesor nuk ka dashur ta pranoj atë.
“Fondi i orëve të rregullta në shkollën tonë për këtë lëndë ka qenë 30 orë. Jemi munduar që këtë fond ta ndajmë për gjysmë për profesorët në fjalë mirëpo profesori Mehdi nuk ka pranuar një gjë të tillë dhe nuk e ka respektuar vendimin komunal. Unë si drejtor jam munduar të zgjidhë këtë problem për ndarje të orëve mirëpo ka qenë e pamundur dhe e kemi dërguar në drejtorinë e arsimit në komunë”, tha Pllana.
Edhe drejtori i shkollës ka theksuar se suspendimi ka ardhur edhe për shkak të sjelljeve jo të mira të profesorit.
“Kemi vendos që me i nda orët barabartë. Edhe këtë 15 orëshin e kemi nda me vendim dhe përsëri ia kemi plotësuar orët me lëndë zgjedhore. Pra ua kemi plotësu normën, por ai nuk është pajtuar përsëri. Jemi munduar me i përdor të gjitha mënyrat por ai ka vendos një anshëm. I njëjti po ashtu ka ofenduar kolegët e tjerë e që kjo është e patolerueshme”, tha ai./FaktePlus