Konfiskohet pasuria e borxhlinjve
Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka ndërmarrë veprime ligjore ndaj të gjithë tatimpaguesve, të cilët kanë obligime tatimore të pa shlyera ndaj shtetit.
Nga aktivitetet e zhvilluara sipas një komunikate të ATK-së thuhet se është konfiskuar pasuria e tatimpaguesve, të cilët nuk u janë përgjigjur kërkesave ligjore.
Sipas ATK, nuk janë bërë si duhet lëshimi i letër-kujtesave, dorëzimi i barrëve tatimore në kadastër, mandej pasuria e paluajtshme, bllokimi i llogarive bankare, bllokime në Thesar dhe në Doganë, vendosja e pengut, kërkesa për ndalesë të personit përgjegjës në kufi, si dhe veprime të tjera të cilat parashihen në Legjislacionin Tatimor.
ATK bëri të ditur se vetëm gjatë muajit mars si rezultat i mos kryerjes së obligimeve tatimore, janë zhvilluar aktivitete për konfiskimin e pasurisë së 46 tatimpaguesve, të cilët kanë pasur obligime ndaj ATK-së në vlerë 1,644,679.00 euro.
“ATK në vazhdimësi do të ndërmarr veprime të ngjashme, për të gjithë tatimpaguesit të cilët nuk i kryejnë obligimet tatimore, sipas Ligjit për Administratën Tatimore dhe Procedurat. Motoja e përgjithshme e punës tonë është krijimi i një mjedisi, i cili mbështet fuqishëm përmbushjen vullnetare të detyrimeve tatimore nga ana e tatimpaguesve, andaj inkurajojmë të gjithë tatimpaguesit që t’i kryejnë me kohë obligimet tatimore, në mënyrë që mos të bëhen objekt i veprimeve të mbledhjes së detyrueshme”, thuhet mes tjerash në komunikatë.