Konfirmohet gjetja e pakos së dyshimtë në kishën e Llapushnikut, koinçidon me sulmet në Sri Lanka
Një pako e dyshimtë e gjetur mëngjesin e 20 prillit të këtij viti brenda objektit të kishës në fshatin Llapushnik të Drenasit ka alarmuar Policinë e Kosovës, e cila menjëherë i është përgjigjur thirrjes, duke e iniciuar atë si rast të veçantë më të cilin është marrë njësia anti-terror.
Burime të Agjencisë së Lajmeve FaktePlus tregojnë se fillimisht ishte dyshuar që pakoja e gjetur brenda kishës kishte një mjet shpërthyes, por është vërtetuar se në të kishte një zarf, tespi dhe një CD, një lloj ky i mesazhit që po cilësohet si kërcënim.
E gjetja e kësaj pakoje në kishë, sipas burimeve brenda Policisë së Kosovës po konsiderohet si kërcënim serioz edhe për faktin se ka koinçiduar të ndodh vetëm një ditë para sulmeve terroriste në Sri Lanka.
Kujtojmë se në Sri Lanka mbetën të paktën 310 njerëz të vrarë dhe 500 të tjerë të plagosur nga tetë shpërthimet që ndodhën afërsisht në të njëjtën kohë në gjithë vendin ishullor.
Redaksia e FaktePlus ka kontaktuar me përfaqësues nga Ipeshkëvia e Kosovës, por ata nuk kanë pranuar të flasin për gjetjen e pakos brenda objektit të kishës në Llapushnik.
Ndërkaq zyrtarët për informim nga Policia e Kosovës kanë konfirmuar gjetjen e pakos së dyshimtë në lokacionin e lartcekur, duke thënë se rasti është duke u trajtuar ende nga ana e njësiteve përkatëse të policisë.
“Lidhur me pyetjet tuaja, ju informojmë se me 20 prill 2019 , është marr informata për mjet të dyshimtë në lokacionin në fjalë. Menjëherë thirrjes i janë përgjigjur njësitet relevante. Aty nuk është gjetur ndonjë mjet i dyshuar shpërthyes. Rasti po trajtohet nga ana e policisë”, thuhet në përgjigjen e Policisë dhënë për FaktePlus.
Por, duhet theksuar se rasti i pakos së dyshimtë që u gjet ditë më parë në kishë nuk u bë i njohur për opinionin nga Policia e Kosovës.
Që rasti të mbetet sa më i fshehur policia nuk e kishte përfshirë madje as në raportin 24 orësh të ngjarjeve që ndodhin në gjithë vendin.
Analiza të ndryshme që janë bërë nga organizata të ndryshme vendore e ndërkombëtare kanë vënë në pah se Kosova mund të bëhet objekt i sulmeve terroriste.
Për këtë arsye ka vite që institucionet e sigurisë në vend i kanë dhënë rëndësi të posaçme luftimit të terrorizmit dhe në disa raste kanë arrestuar persona që dyshohet se kanë qenë duke përgatitur veprime të kundërligjshme./FaktePlus