Konfirmohet dënimi i FIFA’së për Ballkanin, shkaktar ishte futbollisti me shtetësi serbe
Klubit Futbollistik “Ballkani” i është bllokuar mundësia për të transferuar futbollistë në afatin kalimtar të janarit. Këtë informacion tashmë e ka konfirmuar dhe presidenti i këtij klubi, Arsim Kabashi.
Ai ndër të tjera ka zbuluar edhe arsyen e bllokimit të transferimeve. Sipas tij, deri te bllokimi erdhi për një transferim që e kishin kryer në vitin 2019.
“Merkato na është bllokuar, por e kemi paguar dënimin. Nuk është bllokuar për shkak të portierit Rexhepi pasi ai ka qenë në prova. Jemi dënuar për shkak të një futbollisti Avdic që ka qenë para dy viteve tek ne. Kemi bërë pagesën, ka qenë shumë e vogël, tashmë kemi hapur përsëri merkaton”, ka deklaruar Kabashi për “Insportin”.
Ballkani në vitin 2019 kishte prezantuar blerjen e Demir Avdic, sulmuesin serb që më parë kishte luajtur te Trepça ’89.
Por, suharekasit ishin kritikuar shumë për blerjen e tij për shkak të nacionalitetit dhe nuk u paraqit në asnjë ndeshje zyrtare për Ballkanin.
Megjithatë, vetëm nacionaliteti nuk ishte problem pasi Avdic nuk bindi drejtuesit e klubit, ashtu siç kishte bërë më herët edhe Trepça ’89, pasi nuk arriti të përshtatej me futbollin kosovar.
Përveç kësaj, ‘portokallinjtë’ tashmë kanë humbur mundësinë për ta transferuar edhe ‘gardianin’ e Shkëndisë së Tetovës, Bekim Rexhepin.