Komunitetin serb nën përkujdesjen e mjekëve nga Serbia, qeveria Kurti e lejon
Një email i brendshëm komunikimi ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, të cilën e ka siguruar Insajderi, dëshmon mbështetjen që Ministria e Shëndetësisë i ka dhënë kësaj iniciative.
“Ministria e Shëndetësisë mbështet iniciativën e profesionistëve shëndetësorë për ofrimin e shërbimeve shëndetësore për Komunën e Graçanicës”, thuhet në emailin që Qendra Operative Emergjente e Ministrisë së Shëndetësisë i ka dërguar Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Në këtë komunikim, Ministria e Shëndetësisë bën të ditur se personeli mjekësorë që do të vijë nga Serbia, do të duhet të dëshmojë me dokumente relevante profesionin e tyre prej mjeku.
“Po ashtu, të gjithë personat personat fizik duhet t’iu nënshtrohen kontrolleve mjekësore në pikat kufitare dhe t’iu përmbahen rregullave dhe rekomandimeve të IKShPK-së”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.
Lidhur me këtë çështje ka reaguar të martën edhe Partia Demokratike e Kosovës.
Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Betim Gjoshi, e ka quajtur skandal lejen që Qeveria e Kosovës u ka dhënë mjekëve dhe infermierëve nga Serbia. Ka thënë se bëhet fjalë për një marrëveshje të fshehtë.
“Kryeministri i shkarkuar, Albin Kurti, Ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca, Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla – i kanë dhënë Serbisë LEJE FSHEHURAZI për të dërguar në territorin e Kosovës gati 100 mjekë e infermierë për t’u marrë me pandeminë e koronavirusit tek qytetarët serbë të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Gjoshi.
Nga zyra për media e Ministrisë së Shëndetësisë ka thënë se më së largu deri nesër do të japin sqarime për rastin.