Komunat edhe sivjet japin bursa për nxënësit dhe studentët
Janë shumica e komunave të Kosovës të cilat thuajse për çdo vit ndajnë bursa për nxënësit dhe studentët e tyre. Disa prej komunave tashmë i kanë hapur konkurset dhe kanë ndarë një numër modest të bursave.
Varësisht nga buxheti dhe donacionet, komunat edhe sivjet ofruan një numër modest të bursave, ndonëse nevojat janë shumë më të mëdha.
Tashmë edhe nxënësit e studentët nga komuna e Prishtinës, do të kenë mundësi që të fitojnë bursë komunale për këtë vit akademik.
Komuna e Prishtinës për vitin akademik 2019/2020 do të jep 120 bursa për studentë, ndërsa nuk është treguar shuma e bursës.
Njëjtë do të veprojë edhe Komuna e Fushë Kosovës, e cila do të ndajë ndihmë financiare për studentët e nxënësit e saj.
Nga kjo komunë kanë thënë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus se janë ndarë 97 mijë e 850 euro për ndihmë financiare për studentët.
“Numri i studentëve që kanë përfituar ndihmë financiare e jo bursa, gjatë vitit 2019 është 336 studentë në shumë prej 97.850.00 €. Mjetet ndahen në bazë të kritereve të caktuara në rregulloren për ndarjen e Subvencioneve”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Fushë Kosovës.
Nga kjo del se Fushë Kosova do të ndajë rreth 291 euro për person.
Mjetet financiare për nxënësit e studentët kanë ndarë edhe nga Komuna e Drenasit.
Nga kjo komunë kanë bërë me dije se shuma më e madhe që është ndarë, është 500 euro dhe për këtë vit akademik do të jepen 160 bursa.
“Komuna e Drenasit për vitin akademik aktual ka ndarë 160 bursa për studentë dhe vlera e bursës është 500 euro. Kriteret e përzgjedhjes së studentëve përfitues kanë qenë të përcaktuara me konkurs sipas ligjit adekuat”, thuhet në përgjigjen e kësaj komune drejtuar Agjencisë së Lajmeve FaktePlus.
Me ndihmë financiare ka vepruar edhe Komuna e Obiliqit, duke dhënë për studentët 200 bursa.
Nga kjo komunë nuk e kanë bërë me dije shumën e parave që do të ndahet për këtë kategori.
E për ndarjen e bursave nga institucionet lokale kanë folur edhe njohësit e sistemit arsimor në Kosovë. Dukagjin Popovci thotë për FaktePlus se komunat e vogla nuk i kanë kapacitet për të bërë ndarje të madhe të parave.
Ai thekson se numri i përfituesve është i kënaqshëm, por që janë bursa të vogla në shumë parash.
Si do qoftë, Popovci vlerëson se këto subvencione ndihmojnë studentët dhe nxënësit.
“Aq janë mundësitë e komunave për subvencione, janë pak pare por studentët këto para paguajnë ushqimin ose banimin, numri i përfituesve është relativisht i madh, por është shuma e parave të ndara është e vogël. Komunat nuk kanë mundësi të japin shumë. Këto bursa ndihmojnë një kategori të caktuar, pra është mundësi e mirë që ta vazhdojnë shkollimin se përndryshe do ta ndërprisnin shkollimin”, tha Popovci.
Cilat janë kushtet e konkurrimit për bursë komunale
Për përfitimin e bursave komunale, studentët apo nxënësit duhet të jenë banorë të asaj komune, të mos ketë humbur asnjë vit akademik, të mos jetë në marrëdhënie pune me pagesë, të mos jetë përfitues i bursave të tjera të po atij viti akademik.
Përzgjedhja e përfituesve të bursave komunale bëhet në bazë të numrit më të madh të pikëve totale që merr një kandidat bazuar në kriteret e specifikuara. Tutje kriter kyç për përfitimin të bursës apo ndihmës financiare, është edhe nota e mirë mesatare e studimeve./FaktePlus