Komunat dalin kundër vendimit të Qeverisë Kurti
Kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, ka njoftuar prindërit, se rihapja e çerdheve nuk do të ndodhë nesër.
Gashi ka thënë se vendimi është marrë pas konsultimit me drejtorin e DKA-së dhe drejtoreshën e IP “Rrita e Jonë”, duke vlerësuar se objekti i çerdhes duhet të i nënshtrohet parapërgatitjes dhe procesit të dezinfektimit, pasi që për një kohë të gjatë ka qëndruar i mbyllur.
“Si rrjedhojë e dilemave të shumta, lidhur me rihapjen e institucioneve parashkollore për grup-moshat 0-5 vjeç, pas konsultimit me drejtorin e DKA-së dhe drejtoreshën e IP “Rrita e Jonë“ , vlerësuam se objekti i çerdhes duhet të i nënshtrohet parapërgatitjes dhe procesit të dezinfektimit, pasi që për një kohë të gjatë ka qëndruar i mbyllur. Si rezultat i kësaj, në Komunën e Obiliqit rihapja e çerdheve nuk do të ndodhë nesër! Ndërsa, për çdo njoftim të ri do të njoftoheni me kohë”, ka thënë Gashi.
Ndërkaq, kundër hapjes së çerdheve ka qenë edhe kreu i Prishtinës, Shpend Ahmeti.
Ahmeti ka thënë se pret që Ministria e Arsimit të qartësojë situatën dhe rregullat e caktuara për mbrojtje.
Ai ka lutur prindërit që mos t’i dërgojnë fëmijët e tyre në çerdhe pa u marrë vendimi nga niveli qendror.
“Prandaj, prindër të nderuar, mos i dërgoni fëmijët në çerdhet publike dhe ato me bazë në komunitet në komunën tonë deri ti marrim vendimet dhe rregullat nga niveli qendror dhe derisa çerdhet përkatëse ku i keni fëmijët të ju lajmërojnë për funksionimin e plotë. Çerdhet do të rihapen këto ditë, por ka nevojë për më shumë detaje e përgatitje”, ka shkruar Ahmeti.
Edhe kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci ka njoftuar prindërit, se rihapja e çerdheve nuk do të ndodhë nesër.
Lladrovci ka thënë se nuk janë njoftuar ende nga organet e Qeverisë se si do të jenë rregullat e reja të rihapjes së çerdheve.
Reagimi i plotë:
Çerdhet në Drenas nuk hapen deri në një njoftim tjetër
Sot, Qeveria në detyrë përmes një konference për media, tha se çerdhet do të rihapen nga data 1 qershor, por me rregulla strikte.
Komuna e Drenasit, njofton të gjithë qytetarët, përkatësisht prindërit që mos t’i dërgojnë fëmijët në çerdhe deri në një njoftim tjetër!
Kjo për arsye se Komuna, në komunikimin zyrtar, ende nuk ka pranuar asnjë vendim lidhur me rihapjen e çerdheve publike dhe atyre private.
Komuna është në pritje të një vendimi ose qartësimi nga Ministria e Arsimit se si do të funksionojnë çerdhet dhe deri në marrjen zyrtare të një vendimi, çerdhet nuk do të hapen në Drenas.
Në konferencë të Qeverisë në detyrë, janë përmendur rregullat strikte për rihapjen e çerdheve, por ende ka nevojë për t’u qartësuar kjo gjendje se si do të hapen ato.
Të nderuar qytetarë/prindër, çerdhet do të rihapen këto ditë, por presim nga niveli qendror për më shumë detaje lidhur më përgatitjet.
Ju falënderojmë për mirëkuptim!