Komuna po i mban peng qytetarët
Bizneset vazhdojnë ta kenë të preferuar kryeqytetin duke vazhduar në numër të madh me ndërtimin e objekteve të larta banesore. Madje viteve të fundit Komuna e Prishtinës ka lëshuar leje ndërtimi për gjithë këto ndërtime, por ka ngecur në procesin e lëshimit të certifikatës së përdorimit, duke u shkaktuar kështu probleme qytetarëve që kanë blerë banesa.
Certifikata e përdorimit është një dokument i lëshuar nga organet kompetente të komunës me të cilën vërtetohet se ndërtimi është i përshtatshëm për përdorim dhe qytetarët mund të jetojnë aty, shkruan FaktePlus.
Mirëpo me mos lëshimin certifikatave të përdorimit (pranimit teknik), po dëmtohen qytetarët që po blejnë banesa, pasi kështu këto prona nuk mund të regjistrohen në kadaster dhe rrjedhimisht as nuk mund të futen në hipotekë.
Në Komunën e Prishtinës nuk kanë dashur të tregojnë se sa objekte të ndërtimit janë pajisur me certifikatë të përdorimit vitin e kaluar e sivjet dhe se si është duke shkuar ky proces.
FaktePlus mëson se vetëm vitin e kaluar janë lëshuar 183 leje të ndërtimit nga Komuna e Prishtinës, kurse janë lëshuar vetëm 10 leje të përdorimit.
Marrë në tërësi nga vitit 2001 e deri sot janë lëshuar mbi 1000 leje ndërtimi, e prej tyre më pak se 50 kanë leje përdorimi, ndërsa vetëm dy kanë certifikatë të përdorimit.
Bizneset e ndërtimit ankohen për zvarritje
Bizneset e ndërtimit në Prishtinë nuk dëshirojnë të flasin zyrtarisht lidhur me neglizhencën për pranimin teknik të objekteve, por tregojnë se vonesat në këtë proces po u shkaktojnë teleshe.
“Me ligj është e caktuar që gjatë ndërtimit të bëhet inspektimi i punimeve, e pastaj komuna të japë leje përdorimi. Por, me Ligjin e ri, nëse nuk kanë kuadro gjatë ndërtimit, atëherë çdo kompani e ka organin e vet mbikëqyrës, me çka janë të obliguar të japin lejet e përdorimit. Edhe taksat për pranim teknik të objekteve janë tepër të larta. Komuna e Prishtinës nuk është duke lëvizur fare në këtë aspekt, derisa Fushë Kosova, ku po ndërtohet shumë, i ka lëshuar mbi 90 për qind të këtyre lejeve”, tha një ndërtimtar i Prishtinës për FaktePlus.
Megjithëkëtë, ai thotë se banesat po shitën mjaft edhe pa pranim teknik.
Edhe Azem Gashi, i cili drejton një Agjencion të patundshmërisë, që merret më shitblerjen e banesave në Prishtinë, thotë se nga mos pranimi teknik i ndërtesave po bllokohen ekonomitë familjare.
“Banesat që nuk kanë pranim teknik mund të shiten vetëm njëherë nga ndërtuesi dhe pronari i tokës me parakontratë të noterizuar. Shitja e tyre nuk mund të bëhet më deri në pranimin teknik të tyre. Kjo po i bllokon ekonomitë familjare në qarkullimin mjeteve të tyre. Problemi më i madh është tek çiftet e reja, se nuk po mund t’i fusin ato në hipotekë”, ka thënë Gashi.
Kurse Kushtrim Fazliu, një tjetër agjent në tregun e patundshmërive në kryeqytet, tregon për pengesat e shumta që po shkaktohen në ndërtesat që nuk kanë pranim teknik.
“Në çdo vend të botës kur blihet banesë, blihet hipotekë. Në Prishtinë nuk ndodh kështu. Këtu blihet një pjesë e ndërtesës. Kjo situatë po e shkatërron tregun e patundshmërive. Situata e tillë imponon që blerjet të bëhen si në kohën e gurit, pra përmes trambit, si shkëmbim në ndonjë banesë më të lirë, me veturë apo me ndonjë tokë. Askush nuk i ka kesh 60-70 mijë euro ta blejë një banesë. Bankat nuk i marrin hipotekë banesat që s’kanë leje pranimi dhe si rrjedhojë nuk lëshojnë kredi. Në gjithë këtë katrahurë, po e pësojnë ata që i blejnë ato banesa me 100 peripeci, pasi ndërtuesit pos që nuk ndëshkohen, po lejohen nga komuna edhe të mos i kryejnë obligimet e tyre për përfundim te objekteve”, tha Fazliu.
Arkitekti: Kosova vend i mundësive kundërligjore
Njohësit e fushës së ndërtimtarisë thonë se pranimi teknik duhet të realizohet para se objekti të lëshohet për shfrytëzim, ose edhe nëse ndërtesat janë duke u shfrytëzuar, përfundimi i këtyre procedurave është i domosdoshëm.
Arkitekti Ylli Vokshi ka thënë për FaktePlus se ndalohet përdorimi apo funksionalizimi i një objekti të ri apo i rinovuar pa e pasur certifikatën e përdorimit.
“Kosova është vend i mundësive jashtë ligjore, ku askush nuk brengoset për me i respektuar normat dhe standardet e ndërtimit, ligjet aktuale të planifikimit hapësinorë, urbanizmit, të ndërtimit si dhe shfrytëzimit të të objekteve të reja të ndërtuara. Ndër të tjera edhe procesi i pranimit teknik është anashkaluar me metoda perfide e ai është parakushti kryesor teknik për të lëshuar lejen apo certifikatën e PËRDORIMIT.Rreptësisht ndalohet përdorimi apo funksionalizimi i një objekti të ri apo i rinovuar pa e pasur certifikatën e përdorimit”, tha Vokshi.
Arkitekti sqaron tutje se certifikata e përdorimit është kontrolli i fundit që Komuna apo Qeveria i bënë një investimi – ndërtimi për të parë se a është ndërtuar sipas lejes së ndërtimit, projektit, kushteve teknike, normave dhe standardeve vendore dhe ndërkombëtare.
Si në Prishtinë e në tërë Kosovën, që nga pas lufta, është ndërtuar pa kontroll shtetëror. Tani edhe mbikëqyrja inspektuese si pjesë e certifikatës së përdorimit e paraparë me ligjin aktual të ndërtimit nuk ka mundësi të zbatohet në mungesë të inspektorëve komunal.
Opozita kritikon qeverisjen komunale
Lidhur me këtë çështje ka reaguar edhe partia opozitare në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Lidhja Demokratike e Kosovës.
Asambleistja e LDK-së, Fiknete Bejta ka thënë se Komuna e Prishtinës po e neglizhon shumë çështjen e pranimit teknik të ndërtimeve, prej të cilës po pësojnë qytetarët.
“Me ligj është e caktuar që gjatë ndërtimit të bëhet inspektimi i punimeve, e pastaj Komuna të japë leje përdorimi. Mos lëshimi i lejeve të përdorimit po dëmton buxhetin e familjeve edhe të ndërtuesve, sepse po pengon shitjen e banesave, dhe blerësit nuk mund t’i fusin në hipotekë këto objekte gjatë marrjes së kredive. Kjo po ndikon negativisht edhe në tregun financiar. Mungesa e pranimit nga ana e Komunës po ndodhë edhe si pasojë e neglizhencës, por edhe se Komuna ka mungesë të kuadrit profesional”, tha Bejta.
Kryetari Shpend Ahmeti me veprim kundër ligjor
Kurse në qershor të këtij viti kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti është parë duke e bërë një veprim kundër ligjor.
Ai ia ka prerë shiritin një qendre tregtare ende pa iu dhënë certifikata e përdorimit.
Kështu kryetari Shpend Ahmeti së bashku me biznesmenin Latif Gashi e kanë lëshuar në përdorim objektin “Royal Mall” në lagjen Mati1.
FaktePlus është interesuar për të marrë një përgjigje lidhur me mospaisjen e këtij objekti të qendrës tregtare me certifikatë të përdorimit, por drejtuesit e kompanisë “Royal” dhe zyrtarët e komunës nuk kanë dashur të flasin.
Procesi i pranimit teknik dhe pajisjes me leje të përdorimit për ndërtesat e ndërtuara sipas lejeve ndërtimore bëhet bazuar në Ligjin Nr. 2004/15 për Ndërtim.
Këtu thuhet se investitori obligohet që 7 ditë pas përfundimit të ndërtimit të ndërtesës duhet të bëjë kërkesë pranë organit kompetent, për caktim të komisionit për pranim teknik të punimeve dhe mandej pajiset me certifikatë të përdorimit./M.Buzhala – FaktePlus