Komuna nis punimet në rrugën “Rexhep Luci”
Komuna e Prishtinës ka nisur të mërkurën në mëngjes punimet për ndërtimin e minisheshit në rrugën “Rexhep Luci” në qendër të qytetit, pavarësisht vendimit të Gjykatës Komerciale për hapjen e këtyre rrugëve dhe kundërshtimeve të banorëve të lagjes.
Në mëngjesin e së mërkurës, nisjen e punimeve e ka vizituar edhe kryetari Përparim Rama. Rama ka thënë se nuk po i mbyllin rrugët, megjithëse nga pjesa e tunelit e deri te sheshi “Nënë Tereza” nuk do lejohet më qarkullimi i veturave.
“Ne nuk po mbyllim rrugë, po krijojmë mundësi të reja për qytetarët. Do lejohen këmbësorët, ambulantat, mjetet emergjente të futen, por jo edhe qytetarët me vetura”, ka thënë Rama.
Gjatë kësaj kohe, qytetarët përreth kërkonin sqarim nga Rama i cili i injoroi, duke mos ua kthyer asnjë përgjigje.
Për ndërtimet në këtë zonë, Komuna e Prishtinës hapi ritenderim në vlerë prej 1.3 milionë eurosh, e që u fitua nga një kompani nga Malisheva.
Ndërkohë në një njoftim të Komunës, është thënë se “kjo rrugë do të bëhet një hapësirë më e sigurt dhe më funksionale, me përdorimin e materialeve prej guri, më shumë drunj dhe një lidhje të re me pjesën e sipërme të qytetit”.
Aty është bërë e ditur se punimet e nisura do të përfundojnë për 120 ditë. “Faza e parë përfshinë punimet për pjesën nëntokësore e më pas fillon rregullimi dhe gjelbërimi i hapësirës! Këmbësori është prioriteti ynë!”, thuhet në njoftim.
Ndaj vendimit të Komunës së Prishtinës për t’i nisur ndërtimet kanë reaguar banorët e rrugës “Rexhep Luci”, një ditë më parë.
“Po e dërgojmë shqetësimin tonë për lojën e dyfishtë të Komunës me në krye Përparim Ramën dhe Alban Zogajn…Banorët ishin kundër vendimit për mbylljen e rrugës ‘Rexhep Luci’ dhe për këtë ekziston edhe vendimi i Gjykatës Komerciale. Pavarësisht këtyre, Komuna ka nxjerrë në ritenderim dhe më datën 5 nëntor ka shpallur fitues kompaninë ‘Flamuri dhe Benita’ me vlerë 1.338.169 euro. Kjo tregon hapur për qëllimet korruptive të zyrtarëve komunal që të bëjnë një tender kaq të madh pa aprovimin e banorëve dhe pa nevojë, sepse rruga ‘Rexhep Luci’ ka një infrastrukturë të moderuar dhe komplekse, për faktin që banorët kanë vetëm hyrje para dhe nuk kanë alternativa tjera të futen në shtëpitë e tyre”, thuhet në një komunikatë të lëshuar në emër të banorëve.