Komuna fajëson Ministrinë për mbylljen e Këshillimores për Fëmijë
Monitorimi i rritjes dhe zhvillimit të fëmijëve të posalindur e atyre deri në moshën 1 vjeç, por edhe edukimi shëndetësor për ta nuk do të ofrohet tani e tutje në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë.
Kjo për faktin se nga fillimi i këtij viti është mbyllur Këshillimorja për Fëmijë që funksiononte në kuadër të kësaj qendre.
Këtë e kanë konfirmuar për FaktePlus edhe zyrtarë nga Komuna e Prishtinës, të cilët thonë se mbyllja është bërë me urdhër të Inspektoratit të Shëndetësisë që funksionin në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë.
“Këshillimorja është mbyllur me urdhër të Inspektoratit të Shëndetësisë që funksionin në kuadër të Ministrisë. Kjo për shkak të zbatimit të Udhëzimit Administriv të Ministrisë së Shëndetësisë, për shtrirjen e konceptit të mjekësisë familjare”, ka thënë për FaktePlus zëdhënësi i komunës së Prishtinës, Adonis Tahiri.
Si do qoftë, ekzaminimet mjekësore e preventive për të porsalindurit dhe ata që kanë deri 1 vit, tani në vend që të bëhen në këshillimore do të ofrohen brenda QKMF-së tek mjeku familjar.
Zëdhënësi Tahiri sqaron se nëse është nevoja fëmijët do të trajtohen edhe nga pediatri.
“Me gjithë kërkesat tona që të gjendet hapësirë e ndërmjetme dhe të vazhdojmë me këshillimoren, nuk na është lejuar një gjë e tillë. Si rrjedhojë, pacientët e vegjël sërish trajtohen brenda QKMF-së dhe QMF-ve, tek mjeku familjar, dhe nëse është nevoja edhe tek pediatri brenda qendrës përkatëse. Pra, nuk mbeten pa u trajtuar”, është shprehur Tahiri.
Ndërkaq zyrtarë nga Ministria e Shëndetësisë (MSh) mohojnë se kanë lëshuar urdhër për mbylljen e kësaj Këshillimore.
“Sa i përket mbylljes, ju informojmë se Inspektorati Shëndetësor nuk ka lëshuar urdhër për mbyllje të Këshillimores për Fëmijë në kuadër të QKMF-së Prishtinë. Për më tepër, në bazë të Udhëzimit Administrativ për Kujdesin Parësor Shëndetësor, neni 14, në QKMF ku funksionojnë maternitetet, është i domosdoshëm Gjinekologu dhe Neonatologu ose Pediatri. Specialistët nga lëmitë e tjera, mund të vazhdojnë punën në KPSH si konsulent të mjekëve familjarë deri në pensionim”, thuhet në një përgjigje dhënë FaktePlus nga MSh-ja.
Tutje, Ministria e Shëndetësisë vlerëson se në këtë Qendër Familjare janë gjetur parregullsi të shumta.
Sipas ministritë, pas inspektimit dhe pas verifikimit të dokumentacionit relevant, është konstatuar se nga ana e QKMF-së nuk zbatohet ligji për Shëndetësi as statuti i QKMF-së.
“Nuk zbatohet Ligji për Shëndetësi, paragrafi 7 neni 18, i cili përcakton se çdo qytetar dhe banor me vështirësi mjekësore është i obliguar që fillimisht të lajmërohet te mjeku familjar, përpos në raste emergjente. Nuk zbatohen nenet 11 dhe 12 të Udhëzimit Administrativ 08/2017 Organizimi, Struktura, Përcaktimi i Shërbimeve dhe Veprimtarisë së institucioneve të kujdesit parësor shëndetësor, ku përcaktohet se bëhet referimi i brendshëm për shërbime konsultative specialistike”, thuhet në përgjigjen e MSh-së.
Ministria e Shëndetësisë ndër të tjera ka potencuar se mjekët familjarë do të ofrojnë shërbimet adekuate, kurse pacientët e vegjël nuk do të mbesin pa trajtim.
“Mjekët familjarë në të gjitha Institucionet e Kujdesit Parësorë Shëndetësorë (KPSH), QKMF, QMF dhe AMF, ofrojnë dhe e kanë për obligim që të ofrojnë këshilla për pacientët që marrin shërbime në këto institucione”, vazhdon tutje përgjigja e zyrës për informim të ministrisë.
Këshillimoren për Fëmijë që funksiononte deri më tani në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë e kanë vizituar në baza ditore nga 60 deri në 70 persona dhe ishte e vetmja në kryeqytet.
Në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare deri tani janë ofruar shërbime të ndryshme për mbrojtjen shëndetësore të fëmijëve. Sipas faqes zyrtare QKMF-ja ofron këto shërbime:
Shërbim Pediatrik që ofron kujdes shëndetësor preventiv dhe kurativ për fëmijët 0-2 vjeç, ndërsa te të rinjtë vetëm me udhëzim nga Mjeku Familjar;
Përcakton diagnoza dhe bën trajtim ambulator;
Bën ekzaminime mjekësore preventive te të porsalindurit deri në 1 vit, përmes punës në këshillimore;
Bën ekzaminime mjekësore për fëmijët para se të dërgohen në institucione për qëndrim kolektiv;
Monitoron rritjen dhe zhvillimin e fëmijëve dhe bënë edukimin shëndetësor;
Bashkëpunon edhe me institucione tjera shëndetësore./B.Kostanica-FaktePlus