Komuna e Zveçanit përzë ekipin e vaksinimit të Kosovës, ky është sqarimi i MSH-së
Ministria e Shëndetësisë ka filluar vaksinimin masivë në nivel vendi ku po bëhet imunizimi i popullatës kundër Covid-19. Në kuadër të planit të vaksinimit, MSH ka shpërndarë ekipet mobile për vaksinim në të gjitha komunat e Kosovës. Një ekip të tillë të vaksinimit, Qeveria Kurti ka dërguar edhe në komunat me shumicë serbe ku atje kanë hasur në probleme.
Prej fillimit të vaksinimit të qytetarëve, Kosova dhe Serbia janë ballafaquar më probleme mes vete.
Serbia çdo herë ka thënë se do të vaksinojë serbët e Kosovës, derisa Kosova ka thënë se vaksinimi i qytetarëve bëhet nga Ministria e Shëndetësisë së Kosovës.
E problemi për vaksinim është duke vazhduar edhe tani. Madje një incident ka ndodhur hiç më larg se para tri dite.
Siç merr vesh Agjencia e Lajmeve FaktePlus, ekipet shëndetësore kosovare janë përzënë nga QKMF-ja e Zveçanit.
FaktePlus ka siguruar komunikimin e ekipit të vaksinimit të datës 18 qershor duke treguar se janë kthyer mbrapsht nga Komuna e Zveçanit.
“Më kanë përzë nga QKMF e Zvçeanit, sepse nuk njohin as Republikë të Kosovës, e as Ministri të Shëndetësisë”.
Një gjë e tillë deri më tani është mbajtur fshehtë nga Qeveria Kurti mirëpo, në lidhje me këtë FaktePlus ka kontaktuar Qeverinë e Kosovës, por që të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.
Kurse, në Ministrinë e Shëndetësisë së Kosovës kanë thënë se kjo nuk është e vërtetë
“Krejtësisht e pavërtetë. Nuk është dërguar asnjë ekip i MSh-se atë ditë në atë pjese për vaksinim”, kanë thënë në MSH.
Ndonëse nga 15 qershori ka filluar realizimi i Planit për Vaksinim Masiv në Kosovë, në 24 orët e fundit në Kosovë është vaksinuar një numër i vogël i qytetarëve.
Nga Ministria e Shëndetësisë kanë bërë të ditur se në 24 orët e fundit janë vaksinuar 518 persona.
Ndërsa, deri tani 134 mijë e 391 persona kanë marrë dozën e parë të vaksinës. 19 mijë e 518 persona kanë marrë dozën e dytë të vaksinës.
Komuna e Zveçanit gjendet në pjesën veriore të Kosovës. Shtrihet në një hapësirë prej 122 km² (kilometra katrorë) ku përfshihen qyteti i Zveçanit dhe 35 fshatra. Sipas të dhënave nga faqja e komunës, popullsia e tërësishme vlerësohet të jetë 16.650 banorë./FaktePlus/.