Komuna e Xhafer Gashit i çon në kafe, makiato e çaj 10 mijë euro
Gjithsecili në institucione shtetërore, po e bëjnë zemrën e madhe kur duan të bëjnë luksin me paratë nga taksapaguesit.
E së fundmi është edhe komuna e Obiliqit e cila veç për kafe e çaja, po jep hiç më pak se 9 mijë e 991 euro e 20 cent. Tashmë kjo komunë, që udhëhiqet nga Xhafer Gashi, ka hapur edhe tenderin.
Makiato të mëdha, të vogla, nescaffe, langje, kafe espresso, kafe turke, ujë e çaja, janë gjërat të cilat parashihen të blihen për bufenë e Komunës së Obliqit.
Kohëzagjtja e kontratës është për 365 ditë, raporton FaktePlus.
Sipas dosjes së tenderit, përshkruhet që brenda vitit të shërbehen 405 makiato të mëdha, 387 makiato të vogla, 456 espresso, 122 langje.
Po ashtu në Komunën e Obiliqit janë edhe merakli të kafesë turke. Me këtë tender parashihet edhe shërbimi i 180 copë kafe turke.
Kërkesa të mëdha nuk ka edhe për nescaffe e cila më pas pason me 133 çaja.
E më së shumti në tender është kërkuar ujë. Janë 700 copë ujë që janë kërkuar.
Afati i fundit për pranimin e tenderëve është 10 qershori.