Komuna e Prizrenit zëvendëson kalldrëmin me kubëza betoni, QRTK-ja e cilëson të papranueshëm projektin
Një gjë e tillë ndodhi së fundmi në lagjen “Nënkalaja”, rruga e të cilës është e shtruar me kalldrëm (gurë lumorë dhe kubëza guri), mirëpo Komuna ka filluar një projekt me anë të së cilit kjo rrugë po shtrihet me kubëza betoni.
Ky projekt i Komunës bëri që të ketë reagime e mospëlqime nga banorët e lagjes, por edhe nga Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren.
Në një përgjigje, Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, ka akuzuar Komunën e Prizrenit duke thënë se nuk e ka respektuar Ligjin e Qendrës Historike të Prizrenit dhe nuk e ka parasysh trashëgiminë kulturore.
“Komuna e Prizrenit në vazhdimësi nuk është duke punuar në respektimin e Ligjit të Qendrës Historike të Prizrenit, kurse trashëgiminë kulturore nuk e ka parasysh fare, duke mos investuar aspak në ruajtjen dhe mbrojtjen e saj e as duke mos zbatuar ligjet në fuqi”, ka thënë QRTKP-ja.
Drejtori i QRTK-së në Prizren, Samir Hoxha, tha se kjo Qendër e ka nënshkruar letrën nga Drejtoria për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor, për projektin “Rehabilitimi i rrugës në Nënkala” por jo në mënyrën në të cilën po ndërtohet.
Sipas tij, rruga parashihej të shtrohej me kalldrëm, ku do të vendoseshin edhe disa ulëse dhe trupa ndriçues.
“Me Ligjin për Qendrën Historike, Prizreni është klasifikuar si zonë e veçantë e mbrojtur me vlera të interesit lokal, shtetëror dhe ndërkombëtar, që e parashikon mbrojtjen, ruajtjen, rehabilitimin dhe mirëmbajtjen e karakteristikave tradicionale historike urbane të tij. Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren (QRTK Prizren) me datë 06.09.2018 ka pranuar kërkesën (nr. 377) nga Drejtoria për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor (DUPH) nr. 04-353/02-135318 për t’u pajisur me pëlqim për projektin ‘Rehabilitimi i rrugës në nënkala’ (investitor i projektit Drejtoria e Shërbimeve Publike – DSHP) ndaj të cilës kërkesë QRTK është përgjigjur pozitivisht DUPH-së me datë 13.09.2018, respektivisht me datë 13.03.2019 (Projekti kryesor). Në bazë të projektit, rruga duhej të shtrohej me kalldrëm (gurë lumorë dhe kubëza guri) si dhe ishte paraparë të vendosen disa ulëse, shporta për mbeturina dhe trupa ndriçues. QRTK e Prizrenit ka marrë vendim bazuar në ligjin për Qendrën Historike të Prizrenit (QHP) dhe Planin e Konservimit ku lejohet shtrimi i rrugëve me kalldrëm”, deklaroi Hoxha.
Por, nga ajo që është parë deri më tani, kjo rrugë është duke u shtruar me kubëza betoni, për çka Hoxha thotë se projekti si i tillë, për QRTK-në në Prizren është i papranueshëm.
“QRTK – Prizren njofton opinionin publik që shtrimi i rrugës në nënkala me kubëza betoni është i papranueshëm, pasi që është në kundërshtim me Ligjin e Qendrës Historike të Prizrenit dhe Planin e Konservimit, si dhe nuk është në përputhshmëri me pëlqimin e lëshuar”, potencoi ai.
Ai i ka bërë thirrje Komunës që ta ndalojë punën menjëherë.
“I bëjmë thirrje Komunës së Prizrenit si investitor i këtij projekti të ndalojë menjëherë punimet jo-adekuate në Nënkala dhe t’i përmbahet projektit të aprovuar nga ana e QRTK-së. Verifikimi i punimeve në terren sipas projektit respektivisht lejes së lëshuar duhet të bëhet nga Drejtoria e Inspektorateve, dhe të mos lejohet asnjë devijim”, përfundoi ai.
Banorët e kësaj lagjeje thanë për “Zërin”, se kjo rrugë ka prishur imazhin e rrugës dhe se pamja e saj për ta është e tmerrshme.
“Nuk e di se kush i ka filluar këto punime, gjendja nalt është tmerr”, tha Elmedina Dorambari, banore e kësaj lagjeje.
“Zëri” ka provuar që të kontaktojë edhe me Komunën e Prizrenit, por që kjo e fundit nuk ishte në dispozicion për prononcim rreth kësaj gjendjeje.