Komuna e Prishtinës thotë se ka mbetur pa vetura
Komuna e Prishtinës ka thënë se ka mbetur pa vetura. Për këtë ka akuzuar Autoritetin Qendror të Prokurimit, në Ministrinë e Financave, pasi sipas komunës, kontrata e lidhur nga ky autoritet ka skaduar më 6 dhjetor.
“Kjo kontratë përfshinte institucione qendrore dhe lokale, përfshirë Komunën e Prishtinës, e cila kishte marrë me qira 76 vetura. Pas skadimit të kontratës, të gjitha veturat janë kthyer, duke lënë Komunën e Prishtinës pa automjete funksionale. Kjo ka vështirësuar ndjeshëm operimin e drejtorive si Inspeksioni dhe Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca”, thuhet në një njoftim të Komunës së Prishtinës të mërkurën.
Komuna i ka bërë thirrje urgjente Qeverisë që të gjejë zgjidhje.
“Mosveprimi i tyre po pengon rëndë funksionimin e komunave dhe institucioneve publike! Kryeqyteti mbetet i angazhuar për të përmbushur detyrimet ndaj qytetarëve, por mungesa e mjeteve për operim përbën rrezik për shërbimet dhe sigurinë publike. Trajtimi i interesit publik kërkon prioritet!” thuhet në reagim.