Komuna e Prishtinës i dha 150 mijë euro për organizimin e “Sunny Hill Festival”
Për tri ditë rresht të gjitha rrugët çonin në Parkun e Gërmisë. Atje u mbajt edicioni i dytë “Sunny Hill Festival”. Shumë të rinj e të reja paguan nga 70 e 80 euro për të marrë pjesë në këtë festival, që po sjellë yjet botërore në Kosovë. E para të majme për këtë festival dha edhe komuna e Prishtinës. Ajo ndau 150 mijë euro për organizmin e festivalit.
“Sunny Hill Festival” që për 3 ditë rresht (2-4 gusht) u zhvillua në Parkun e Gërmisë, e ka dëmtuar këtë vend. Gërryerjet e sipërfaqes gjatë organizimit dhe në vendin ku ishte skena, vërehen edhe tani. Copëza qelqi të shisheve të birrave dhe mbeturina të shumta kanë mbetur ende në këtë hapësirë e mbrojtur me ligj.
Për organizimin e këtij festivali, Komuna e Prishtinës ka dhënë hiç ma pak se 150 mijë euro.
Kështu është bërë e ditur në njoftimin e nënshkrimit të kontratës e cila është publikuar në faqen e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP), shkruan Agjencia e Lajmeve FaktePlus.
Megjithatë, ky festival po shihet si promovim i vendit dhe kulturës e po ashtu edhe për ekonomi lokale.
Vizitorët e huaj kanë deklaruar se kanë ardhur në Kosovë për këtë festival dhe “Dokufestin, por po ashtu për t’u njohur nga afër me historinë e vendit.
Kujtojmë që disa organizata të shoqërisë civile kishin kërkuar ndalimin e këtij festivali përpara se të zhvillohej, duke e konsideruar të dëmshëm jo vetëm për ambientin dhe natyrën e Parkut të Gërmisë, por edhe për kafshët e shpezët.
Këto organizata kërkonin nga ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor që të mos lejojë organizime të tilla dhe t’i anulojë festivalet e këtyre përmasave në zona të mbrojtura natyrore, siç parashihen me dispozitat ligjore.
Dëmi hapësinor vërehet qartë edhe katër ditë pas mbylljes së festivalit. Ndërkaq zhurma e festivalit u dëgjua edhe në distancë 1 kilometër larg skenës, gjë që trazon sidomos shpezët që zhvillojnë jetesën në Gërmi.
Kurse, nga viti i ardhshëm, festivali “Sunny Hill” do të mbahet në Bernicë të Prishtinës.
Kështu kanë rënë dakord, Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala dhe përfaqësuesi i ‘Sunny Hill”, Dukagjin Lipa.
Siç kishte deklaruar Shala, misioni i tyre është që ta promovojnë vendin tonë në botë dhe ta nxisin turizmin kulturor.
“Ngjarja e madhe kulturore në Kosovë, e cila ka bërë bujë ndërkombëtare, festivali “Sunny Hill”, nga viti i ardhshëm do të mbahet në Qendrën e Panaireve në Bernicë-Prishtinë./FaktePlus