Komuna e Mitrovicës bën apel tek qytetarët për kujdes në parandalimin e zjarreve
Javët e fundit edhe në regjionin e Mitrovicës është përhapur dukuria e ndezjes së zjarreve në natyrë, dhe si pasojë e saj kanë filluar të digjen shumë sipërfaqe me kullosa dhe me pyje.
“Edhe pse gjatë gjithë kohës rojet e pyjeve janë në teren dhe kanë parandaluar disa vatra të reja të zjarreve, sikurse edhe zjarrëfikësitë e Mitrovicës, prapë persona të pandergjegjshëm janë duke djegur sipërfaqe të konsiderueshme të kullosave dhe pyjeve në territorin e Mitrovicës.
Për shkak të situatës së krijuar nga virusi COVID-19, kjo e bënë edhe më të vështirë dhe e rëndon edhe më tepër në këtë kohë pandemie, pasi që po digjen shpesh edhe shtyllat elektrike dhe fshatrat në ato zona po mbesin pa energji elektrike, siç është rasti me banorët e Zabërgjes”, thotë Komuna e Mitrovices.
Andaj Komuna e Mitrovicës përkatësisht Drejtoria për Mbrojtje të Mjedisit dhe Pyjeve bën thirrje tek të gjithë qytetarët që të ndalin këtë dukuri, në mënyrë që të ruajmë ambientin, natyrën dhe bukurinë e saj, pasi që kështu ruajmë edhe shëndetin tonë.