Komuna e Klinës arsyeton “Barin mbi asfalt” që kushtoi rreth 100 mijë euro
Asfaltimi i rrugës Çabiq-Ujmirë mbi të cilën pas katër muajsh mbiu bari, i kushtoi komunës së Klinës hiç më pak se 93 mijë euro. Madje për punët e bëra komuna e bëri pagesë 60 mijë euro. E në komunën e Klinës po e arsyetojnë asfaltimin e dobët atje.
Ani pse shihet se aty ka asfalt, Drejtori i Urbanizmit dhe Mbrojtjes së Mjedisit në Komunën e Klinës Lorenc Marleku, për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, ka thënë se kompania nuk ka mundur të kryej punët për shkak të kushteve atmosferike dhe se kjo rrugë ende nuk ka përfunduar se punuari.
“Ky është projekt në implementim, nuk është i përfunduar. Kompania ka kryer diku 63 për qind të punëve tjera punë nuk janë kryer. Ne kemi dalë në vendin e ngjarjes dhe kemi konstatuar se çka u bë mirë e cka u bë keq. Kompania tash ka filluar veç ndërtimin, vazhdimin e projektit. Por një pjesë aty nuk është bërë si duhet. Asfalti ka kushtuar 93 mijë euro. Pagesat që iu janë bërë është 60 mijë”, tha Marleku.
Ndërsa, ai thotë se nuk do të ketë masa ndaj kompanisë për punët e dobëta të bëra aty. Krejt çka iu është thënë kompanisë ” I & B – Group ” SH.P.K. është vërejtje për neglizhencë të punimeve.
LEXO EDHE: Sa i kushtoi Komunës së Klinës “Bari në asfalt”?
Megjithëkëtë, Marleku ka theksuar se kompania nuk është fajtore për këtë.
“Nëse kompania e ka kryer një punë dhe ne kemi bërë pranimin teknik, pastaj kjo është në implementim. Ne ndaj kompanisë mundemi me dhënë vetëm vërejtje përshkak se ka neglizhuar punimet por nuk kanë qenë kushtet atmosferike me bo asgjë asfalt pas vitit të ri. Në këtë rast kompania nuk është shumë fajtore, se nuk ka mundur të bëjë asfalt kur nuk ka pas kushte. Plani dinamik ka qenë deri në janar”, potencon Marleku për FaktePlus.
Ndërkaq, ai ka arsyetuar edhe zvarritjen e punimeve.
“Aty i kemi pas dy projekte prej buxhetit të vitit të kaluar. Ndërtimi i rrugëve dhe i ujësjellësit. Tash meqenëse qeveria zyrtare na ka dhënë një grant për ndërtimin e ujësjellësit përmes asamblesë e kemi bart projekt…buxhetimi që ka qenë i komunës për ujë dhe për rrugë e kemi bart krejt për rrugë edhe ajo na ka shkuar si procedua. Është dashtë asambleja me marrë vendim kështu që e kemi marrë vendimin enë asamble dhe gjithë projekti i ujit dhe rrugëve të bëhet në infrastrukturë rrugore, qato procedura na kanë kushtuar 1-2 muaj dhe ne kemi shpall tenderin. U bë me vonesë, në muajin e nëntë diku”, tha Marleku.
Asfaltimin e kësaj rruge e ka bërë kompania ” I & B – Group ” SH.P.K.. Kjo kompani dhe komuna e Klinës kontratën për këtë tender e kanë nënshkruar më 06.11.2018./FaktePlus