Komuna e Fushë Kosovës: Informacioni se 3 persona kanë COVID-19 nga komuna jonë, është i pakonfirmuar e me konotacione politike
Komuna e Fushë Kosovës ka thënë se informacioni se 3 persona janë prekur me koronavirus nga kjo komunë është i dyshimtë, i mangët dhe i pakonfirmuar.
Përmes ‘Facebook-ut’ thuhet se nuk është njoftuar as Burim Berisha, drejtoria e Shëndetësisë apo QKMF-ja.
Madje thuhet se publikimi ka konotacione politike, njofton FaktePlus.
“Ne informojmë qytetarët e Komunës së Fushë-Kosovës të mos shqetësohen, sepse ka mungesë informatash se kush janë, nga janë këto raste, si ka rrjedhë marrja e këtij virusi prandaj ky publikim është i padenjë dhe nënçmues për qytetarët e Komunës së Fushë-Kosovës. Ka konotacione politike”, shkruhet ndër të tjerash në reagim.
Kujtojmë që më herët edhe Agim Bahtiri i Mitrovicës e kishte demantuar se një person ishte prekur me koronavirus nga kjo komunë.
Reagimi i plotë:
* Njoftim – Sqarim *
Në mbrëmje doli një informacion se në Komunën e Fushë-Kosovës janë 3 raste me COVID-19. Ky është informacion i pakonfirmuar, i dyshimtë dhe i mangët. Është i pa njoftuar Kryetari i Komunës z. Burim Berisha njëherit Kryetar i Shtabit të Emergjencës, i pa njoftuar Drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë dhe i pa njoftuar Drejtori i QKMF-së në Fushë-Kosovë dhe si rrjedhojë e gjithë kësaj u shkaktua një shqetësim tek qytetarët.
Ne informojmë qytetarët e Komunës së Fushë-Kosovës të mos shqetësohen, sepse ka mungesë informatash se kush janë, nga janë këto raste, si ka rrjedhë marrja e këtij virusi prandaj ky publikim është i padenjë dhe nënçmues për qytetarët e Komunës së Fushë-Kosovës. Ka konotacione politike.
Të vazhdojmë të bëjmë punën tonë Institucionale dhe ju qytetarë të respektoni masat. Mos u shqetësoni për informacionet banale dhe të pakonfirmuara.