Kompensimi i orëve të humbura: SBAShK-u dërgon në gjykatë vendimin e MAShT-it
Më shumë se 350 mijë nxënës të nivelit arsimor parauniversitar dhe rreth 110 mijë studentë në Kosovë përgjatë tri javëve të muajit janar të këtij viti nuk kanë vijuar procesin mësimor, si pasojë e grevës së mësimdhënësve.
Për gjithë këto orë mësimi të humbura, Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT) sot ka marrë një vendim. Kjo ministri vendosi që kompensimi orëve të humbura të bëhet deri në përfundimin e vitit shkollor.
Mirëpo këtë vendim po e kundërshton fuqishëm Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK) konsideron se ky vendim është i një anshëm dhe i paligjshëm.
Kryesindikalisti Rrahman Jashari i ka thënë Agjencisë së Lajmeve FaktePlus, se ky vendim do të kundërshtohet deri në një vendim tjetër të Këshillit Drejtues të SBAShK-ut
Ai ka thënë se SBAShK, është duke përgatitur lëndën që ta dërgojë vendimin e ministrit Shyqyri Bytyqi në gjykatë.
“Vendimi i ministrit Bytyqi është i papranueshëm. Ne nuk jemi konsultuar nga ta fare. SBAShK-u e ka kundërshtuar këtë vendim dhe nuk do ta zbatojmë atë deri në një vendim tjetër të Këshillit Drejtues. Ky vendim i ministrit është i papranueshëm për dy arsye. E para është një vendim i një anshëm dhe nuk jemi konsultuar fare dhe e dyta është vendim i jashtëligjshëm, sepse me ligjin mbi grevat thuhet se nuk është e obliguar që këto orë të humbura mësimi të kompensohen. Ne jemi në konsultime dhe me juristë dhe avokatë, që të përgatisim një lëndë dhe të dërgojmë një gjykatën gjegjëse duke kërkuar pezullimin e këtij vendimi të ministrisë”, është shprehur Jashari.
Ai tutje ka theksuar se të shtunën Këshilli Drejtues i SBAShK-ut, do të mbajë mbledhje të jashtëzakonshme ku do të vendoset për orët e humbura.
Jashari thotë se çdo vendim i Këshillit Drejtues, do të përkrahet e respektohet.
“Ne jemi në konsultime edhe me mësimdhënësit, por unë jam i obliguar t’i mbroj interesat e punëtorëve të SBAShK-ut. Ata gjatë grevës kanë marrë vendim që të mos zëvendësohen këto orë sepse ashtu ka qenë vendimi i Këshillit Drejtues. Por unë do të mbajë edhe një mbledhje urgjente të shtunën dhe të merret vendim për këto orë, nëse 75 për qind deklarohen pro mbajtjes së mësimit, ai vendim do të respektohet. Deri në një vendim tjetër jam i obliguar ta mbroj këtë”, ka thënë Jashari.
Ndryshe Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka paraparë që orët e humbura gjatë grevës të kompensohen në këtë mënyrë. Ata kanë vendosur që 5 (pesë) ditë të zëvendësohen nga pushimi pranveror, prill 2019; 5 (pesë) ditë të shtune të zëvendësohen gjatë vitit shkollor 2018/2019; dhe 5 (pesë) ditë të zgjatet përfundimi i vitit shkollor 2018/2019./FaktePlus