Kompania serbe që ka fituar qindra tenderë e miliona euro
Komunat e pjesës veriore të Republikës së Kosovës me shumicë serbe nuk kanë buxhet të madh. Por, nga koha kur kanë filluar të respektojnë kriteret e prokurimit sipas ligjeve të Kosovës, thuajse i gjithë buxheti që është i dedikuar për infrastrukturë po shkon tek një person.
Kompania “RAD” e Radule Steviq nga komuna e Zveçanit, është firma më e suksesshme në përfitimin e tenderëve publik në komunat veriore të Kosovës.
Veçmas kjo kompani në Komunën e Mitrovicës Veriore dhe atë të Zveçanit po i merr të gjithë tenderët për rregullimin e infrastrukturës lokale.
Të dhënët tregojnë se në katër komunat me shumicë serbe, nga korriku i vitit 2015 e deri në dhjetor të vitit 2018, kompania “RAD” e Radule Steviq i ka fituar rreth 120 tenderë, shkruan FaktePlus.
Ndonëse, numri i tenderëve është shumë i madh dhe përbënë një rast të rrallë në prokurimin publik, shuma e parave të fituara nga këta tenderë arrin në vlerë prej rreth 13 milionë euro.
Kujtojmë se kompania PTP “RAD” nga Zveçani ka qenë fituese e tenderit për ndërtimin e murit në veri të Mitrovicës, i cili ishte bërë mollë sherri në mes të Prishtinës zyrtare dhe Beogradit.
Në kohën e ndërtimit të këtij muri, përflitej se pronari i kompanisë “RAD” është njeri i afërt me Marko Gjuriqin dhe Beogradin zyrtar, dhe se ai po i kryen të gjitha punët ndërtimore që lidhen me direktivat e Beogradit në veri.
Vetëm oferta të kompanisë “RAD”
Komunat e pjesës veriore të vendit edhe pse ka vite që janë integruar për shfrytëzimin e buxhetit, duke shpenzuar mjetet përmes procedurave të prokurimit, në rastet më të mëdha nuk respektohet Ligji për Prokurim Publik sikurse komunat tjera.
Në shumicën e rasteve të tenderëve të pranuar në komunën e Zveçanit dhe Mitrovicës së veriut është vetëm një ofertues, pra vetëm oferta e kompanisë “RAD”. Po ashtu, në këto komuna nuk ka as kompani tjera që së paku e tërheqin dosjen e tenderit për të parë kushtet e ofertës.
Milionat ndër vite nga katër komuna
Në vitin 2018, kompania “RED” në komunën e Zveçanit fitoi 16 tenderë, në vlerë prej pak mbi 1 milion euro. Vlera më e madhe e një tenderi ishte 120 mijë euro, ndërsa pati tenderë të vegjël dhe njëri kishte vlerë prej 4 eurove.
Në vitin 2017 mori 10 tenderë në vlerë prej rreth 550 mijë euro. Në vitin 2016 mori 6 tenderë. Në vitin 2015 mori 25 tenderë. Disa prej tenderëve të mëdhenj janë realizuar në bashkëpunim edhe me kompanitë NNT “ABC” – Podujevë dhe “Dynamic Trade” DOO – Zvečan, “Beni Construction”.
Në vitin 2018, nga komuna e Mitrovicës Veriore mori 12 tenderë, nga ta dy në konzorcium. Vlera e tenderëve ishte 1 milion e 385 mijë euro. Në vitin 2017, në Mitrovicën veriore ka fituar 16 tenderë, në një vlerë prej 1.8 milion euro. Në vitin 2016, mori 8 tenderë. Në vitin 2015, nga korriku deri në dhjetor mori 20 tenderë.
Në komunën e Zubin Potokut, në vitin e kaluar i ka marr 2 tenderë në vlerë prej 350 mijë eurove. Kurse në 2017 nuk ka marr ndonjë tender në këtë komunë . Ndërsa, në vitin 2016 ka fituar një tender. Dhe në 2015 ka fituar 4 tenderë.
Sipas gjetjeve në KRPP nga FaktePlus, në komunë n e Leposaviqit kompani “RED” ka marr vetëm dy tenderë në vitin 2018, në vlere prej 380 mijë euro.
AKK rekomandon mos t’i jepen tenderët kompanisë “RAD”
Agjencia Kundër Korrupsionit në Kosovë, vitin e kaluar kishte rekomanduar që kompanisë PTP “RAD” nga Zveçani të mos i jepeshin tenderë nga buxheti i Kosovës, me arsyetimin se ajo asnjëherë nuk kishte kontribuar në këtë buxhet.
Ky rekomandim kishte ardhur pas një ankese që e kishte paraqitur në AKK një operator ekonomik, rreth një tenderi prej rreth 100 mijë euro për asfaltimin e një rruge në veri të Kosovës.
AKK konstatonte se operatori ekonomik PTP “RAD” për këtë tender kishte prezantuar një listë me 24 kontrata të realizuara me komunat paralele të Serbisë në Kosovë, të cilat operojnë ilegalisht në Republikën e Kosovës.
ATK nuk tregon a ka borxhe kompania serbe
Sipas legjislacionit në fuqi gjatë ofertimit në tenderët publik, kompania garuese duhet të ketë borxhet e shlyera ndaj Administratës Tatimore të Kosovës (ATK). FaktePlus ka pyetur zyrtarët në ATK për të kuptuar nëse kompania serbe që po i fiton gjithë tenderët, ka pasur ndonjë borxh paraprak, apo edhe aktualisht ndaj ATK-së.
“Bazuara në Ligjin Nr 03/L-222 – për Administratën Tatimore dhe Procedurat, përkatësisht nenin 84 që përcakton konfidencialitetin e informatave tatimore, informatat e tilla konsiderohen konfidenciale, përveç nëse aplikohet paragrafi 3 i po të njëjtit nen, kur tatimpaguesi mund të lirojë çdo person nga detyrimi i konfidencialitetit. Lirimi i tillë duhet të jetë me shkrim dhe mund të kufizohet në dhënien e informatave të caktuara ose t’i shfrytëzojë për një qëllim të veçantë”, thuhet në një përgjigje të ATK-së për FaktePlus.
Kurse zyrtari i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik –KRPP, Osman Bytyqi ka thënë se në bazë të Ligjit të Prokurimit Publik të Kosovës nr. 04/L-042, Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik në pajtim me nenin 88, ka kompetencë, autoritet dhe përgjegjësi për të vëzhguar, monitoruar dhe mbikëqyr aktivitetet e prokurimet në të gjitha autoritetet kontraktuese të Kosovës.
Ai tha ligji e lejon që të procedohet me vetëm një kompani edhe për kontratat –punë.
“LPP- ka të rregulluar procedurat e prokurimit publik dhe nëse te gjitha kontratat që ju referoheni janë me procedura të hapura, mundet që një operator ekonomik të fitoi disa kontrata me kushtin që të përmbush kërkesat e vendosura nga Autoriteti Kontraktues, dhe te plotësoj kriterin për dhënie te kontratës. Si rrjedhojë e kësaj me rastin e publikim të njoftimit për kontratë kanë të drejt te gjithë operatorët ekonomik që janë të interesuar për pjesëmarrje të ofertojnë dhe nëse gjatë fazës së tenderimit ka parregullsi operatorët kanë të drejt të paraqesin ankesë sipas neni 108A dhe 109 te LPP-se”, ka thënë Bytyqi për FaktePlus.
OSHP-ja gjeti shkelje
Kujtojmë se në maj të vitit 2018, Organi Shqyrtues i Prokurimit ka gjetur shkelje në tenderin “Rindërtimi i ndriçimit publik të rrugës No Lola Ribar” i realizuar nga Mitrovica e Veriut.
Ky tender ishte tentuar t’i jepej kundërligjshëm kompanisë “RAD”. Meqë si rrallë herë kishte edhe garues të tjerë, kompania “Bereqeti Ing” nga Prishtina ishte ankuar në OSHP për një dallavere që e kishte bërë prokurimi i komunës kur e kishte shpallur fitues këtë kompani.
OSHP -ja kishte vërejtur se tri kompani ishin eliminuar me arsyetimin e vetëm ‘mospjesëmarrje në vizitën në terren të paraparë me datën 20.04. 2018 në ora 11:00”. Sipas OSHP, kompania “Bereqeti Ing”, kishte dalë në teren, por në vendin e ngjarjes nuk ka qenë asnjë zyrtarë i komunës, dhe asnjë prej kompanive tjera.
Po ashtu, OSHP, kishte gjetur edhe një shkelje tjetër “Vërejmë se oferta e operatorit fitues ka një mungesë substanciale ngase nuk ka ofruar fare afatin e vlefshmërisë së tenderit të kërkuar në piken 4 të Formularit për Dorëzimin e Ofertës (Pjesa C e Dosjes së Tenderit). Ky fakt bie ndesh nenin 31.1 e RUOPP të sqaruar me nenin 39.8 te të njëjtit Udhëzim ( pjesa tabelore), ku parashihet eliminimi pa kusht në rast të gabimit në plotësimin e Formularit të Tenderit, përkatësisht mosplotësimit të validitetit të ofertës”, thuhej në vendimin e OSHP-së. Me këtë vendim ishte pajtuar komuna e Mitrovicës veriore, duke e anuluar në tërësi këtë tender.
Kompania “RAD” ka marrë tenderë jo vetëm nga katër komunat e pjesës veriore. Kjo kompani ka kryer edhe punë të tjera me fonde të Serbisë dhe të Bashkimit Evropian.
Në vitin 2014, Qeveria Serbe kishte investuar 3 milionë dinarë për ndërtimin e objektit të banimit në Oslobodjenje të Mitrovicës veriore. Në vitin 2014, Bashkim Evropian kishte investuar 1.2 milion euro në ndërtimin e Stacionit të autobusëve dhe ndërtimit të shtëpisë së shëndetit, dhe këto punë i kishte kryer kompania “RAD”./FaktePlus