Kompania ku punoi Hysen Durmishi e që u shpërblye me tender nga MMPHI rrezikon të përjashtohet nga prokurimi për 10 vite
Më 30 qershor, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës shpalli fituesit e tenderit “Mirëmbajtja verore dhe dimërore 2021, 2022” në rrugët nacionale dhe rajonale”, duke rekomanduar për kontratë 14 kompani dhe grupe kompanish. Kontrata nuk janë nënshkruar akoma, pasi disa kompani janë ankuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit për shkelje gjatë vlerësimit të tenderit.
Për pjesën e parë, apo lot 1, Regjioni i Prishtinës, janë rekomanduar për kontratë kompanitë me lider “Bujar Shabani BI”, pastaj “Adnan Bislimi BI”& “Dashamir Jashari BI” &”Varna” në vlerë prej 1.074.659, 52 euro.
Ditë më parë lajmi.net ka raportuar se zëvendësministri i MMPHI, Hysën Durmishi, i cili po merret më të gjitha punët infrastrukturore në ministri, për një kohë të gjatë ka qenë inxhinier i punësuar tek kompania “Bujar Shabani BI”, e cila me emrin tregtar njihet si N.P.SH.”Bageri”.
Lajmi.net ka gjetur se ndaj kësaj kompanie është duke u zhvilluar procedurë penale në Gjykatën Themelore në Ferizaj për shmangie nga tatimi.
Gjatë vlerësimit të ofertave, kompanitë janë të obliguara që të dërgojnë në ministri edhe certifikatë nga Gjykata për të treguar se drejtuesit e kompanisë nuk kanë telashe me ligjin. Një vërtetim të tillë e ka dërguar edhe lideri i konzorciumit për lot 1, “Bujar Shabani BI”. Vërtetimi është nxjerr më datë 24 maj 2021. Kjo certifikatë mban nr. PN.NR.KR.BE 3212/21 në emër të Bujar Shabani, i cili sipas ueb faqes së ARBK është pronar dhe përfaqësues i autorizuar në kompaninë “Bujar Shaban BI”, i cili siç shkruan në certifikatat është në procedurë penale sipas lëndës me nr P.NR 1050/20 për veprën penale 313/1 i KPRK-së.
Kodi penal i Kosovës, neni 313, pika 1, flet për shmangie nga tatimi. “Neni 313 -Shmangia nga tatimi. 1. Kushdo që me qëllim që ai apo personi tjetër të fsheh apo t’i shmanget, pjesërisht apo tërësisht, pagesës së tatimit, tarifave apo kontributeve të tjera që kërkohen me ligj, jep të dhëna të pavërteta apo nuk i përfshin të dhënat lidhur me të ardhurat e tij, pasurinë, gjendjen ekonomike apo fakte të tjera relevante për vlerësimin e detyrimeve të tilla, dënohet me gjobë dhe me burgim deri në tre (3) vjet”, thuhet në këtë nen.
Nëse shpallët fajtore pronari i kësaj kompanie, pos dënimeve që parasheh Kodit penal, sipas Ligjit të Prokurimit Publik, kompania nuk do të mund të jetë pjesëmarrës në prokurimet publike për 10 vite.
Ligji i Prokurimit Publik, Neni 65 fletë për Pranueshmërinë e Kandidatëve ose Tenderuesve dhe tregon se kur një kompani nuk mund të shpërblehet me kontratë.
“6.2 Operatori ekonomik nuk ka të drejtë që të marrë pjesë në një aktivitet të prokurimit ose në ekzekutimin e ndonjë kontrate publike, nëse operatori i tillë ekonomik, ose ndonjë drejtues, menaxher ose drejtor i saj gjatë dhjetë viteve të fundit:
është deklaruar i papërshtatshëm, kur autoriteti kontraktues zbulon se kjo është një shkelje e rende profesionale, e konstatuar nga një gjykatë kompetente;
është shpallur fajtor për mashtrim apo një akt të ngjashëm me mashtrim nga një gjykatë kompetente;
është konstatuar nga një gjykatë kompetente, agjenci administrative ose organizatë për zbatimin e standardeve të sjelljes profesionale, se është sjellë në mënyrë joprofesionale; ose
është konstatuar nga një gjykate kompetente se ka bërë keqinterpretime para autoriteteve publike në Kosovë ose diku tjetër”, thuhet në nenin 65 të LPP-së.
Lajmi.net ka kërkuar një interpretim ligjor nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik –KRPP për të kuptuar, nëse kompania e njëjtë do të duhej të eliminohej që në start kur ka ofruar certifikatë nga Gjykata ku pronari i kompanisë ndodhet në procedurë penale, por ky institucion nuk ka kthyer përgjigje.
Se deri ku ka shkuar ky rast, apo se me çka ka të bëjë konkretisht, nuk kanë treguar as Gjykata Themelore e Ferizajt. Nuk ka dashur të deklarohet as Ministria e Infrastrukturës.
Lidhur me këtë tender, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës kishte vlerësuar ofertat e 39 grupeve të operatorëve ekonomik dhe në fund ka vendosur për 14 grupe të kompanive në konzorcium. Vlera totale e ofertave është 9 milionë e 060 mijë e 635 euro. Ndërsa në lot 1, ku është fitues “Bujar Shabani BI” një konzorcium ka qenë më i lirë për rreth 300 mijë euro, por është shpallur i papërgjegjshme nga ministria e për disa arsyeje, ndërsa kompania e njëjtë është shpallur e përgjegjshme për lot 1 Regjioni i Ferizajt.