Kompania e Ramiz Kelmendit e pranon se punëtorja e humbi dorën, thonë se u dërgua për shërim jashtë vendit
Kompania e deputetit të LDK-së, Ramiz Kelmendi, ‘Elkos Group’ ka sqaruar incidentin e një punëtoreje të saj e cila gjatë punës ka humbur dorën.
‘Elkos’, sqaron se ngjarja ka ndodhur në shtetin e Malit të Zi, ku sipas kompanisë së Kelmendit, rasti është marrë seriozisht dhe se janë ndërmarr të gjitha masat e nevojshme ligjore.
“Pasi që sot në disa portale po qarkullon një video, ku shihet lëndimi në vendin e punës të një punëtoreje në sektorin e mishit, me qëllim të informimit të drejtë të qytetarëve tonë, ju informojmë se rasti në fjalë ka ndodhur në kompaninë Elkos në shtetin e Malit të Zi, ku atje për këtë rast janë marrë të gjitha masat e nevojshme përfshirë ato ligjore në bazë të të gjitha rregullave të këtij shteti”, thuhet në njoftimin e kompanisë.
Tutje në njoftim bëhet e ditur se punëtorja e aksidentuar ka pasur sigurim shëndetësor dhe është dërguar për shërim jasht vendit.
“Sipas informatave që posedojmë nga përfaqësuesit tonë në Malin e Zi, ju informojme se punetorja ka pasur sigurim shëndetësor dhe aksidental dhe është dërguar menjëherë për trajtim shëndetësor jashtë vendit dhe pas rehabilitmit do i sigurohet një vend i punës adekuat që i përgjigjet aftësive të saj”, bëhet e ditur.
Ndër të tjera kompania në fjalë ka pohuar se rasti ka ndodhur rreth një muaj më parë dhe se sipas tyre mospërcaktimi se ku ka ndodhur rasti, është qëllim që të dëmtohet imazhi i Elkos Group në Kosovës.
“Ky rast ka ndodhur para një muaji dhe mospërcaktimi se ku ka ndodhur, është me qëllim që të dëmtohet imazhi i Elkos Group në Kosovë”, thuhet në njoftimin e kompanisë.
Ndryshe rastin e ka konfirmuar edhe vet pronari i ETC-së, Ramz Kelmendi i cili ka thënë për FaktePlus se punëtorja ka marrë tretmanin e duhur dhe me kohë./FaktePlus