“Komisioni s’do t’i jap Thaçit më shansë të bëjë teatër për gylenistët”
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nuk do të përballet më me anëtarët e Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me ndriçimin e rastit të dëbimit të gjashtë shtetasve turq. Kjo, pasi ky komision nuk e ka në plan që ta ftoj sërish për të raportuar lidhur me këtë rast. Megjithatë, raporti i Komisionit do të shkojë në seancë plenare për diskutim pa dëshminë e presidentit Thaçi, por me konstatimin se ai nuk ka dashur të përgjigjet për përgjegjësinë e tij në depërtimin e shtetasve turq.
Herën e kaluar kur kreu i shtetit iu përgjigj ftesës së Komisionit për të raportuar, nuk shkoi ashtu siç kishin menduar anëtarët e Komisionit.
Presidenti Thaçi në atë mbledhje rreth katër orëshe ishte përplasur ashpër me deputetët, duke i akuzuar ata se kanë bërë shkelje ligjore me angazhimin e ekspertit ndërkombëtar, pasi konsideronte se është njëri i afërt me deputetin e Vetëvendosjes, Sami Kurteshi.
Nënkryetari i Komisioni Hetimor Parlamentar që është angazhuar për ndriçimin e rastit të dëbimit të gjashtë shtetasve turq, Driton Selmanaj, thotë në një prononcim për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus se nuk do t’i japin rast presidentit që të bëjë sërish teatër dhe të fyej deputetët.
“Vlerësimi im është, sepse në Komision nuk kemi vendosur akoma, nuk ia vlen ta thërrasim më. Presidenti me mos dëshminë e tij veç ka dëshmuar, do të thotë që ai nuk do të flas për këtë temë sepse e di edhe ai që të gjithë ne e kemi kuptuar që ai qëndron mbrapa këtij procesi. Prandaj, për t’i mundësuar atij të bëjë teatër dhe të fyej njerëzit nuk e kemi në plan t’i japim rast tjetër”, tha Selmanaj.
Mirëpo, për herë të dytë para anëtarëve të Komisionit do të jenë për raportim shefi i Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI), Shpend Maxhuni dhe ish- shefi i AKI-së, Driton Gashi, pas dëshmisë së të cilëve do të përfundohet draft raporti pa dëshminë e presidentit.
“Nga ana tjetër nesër do të kemi edhe të intervistuarit e radhës, pastaj si ta përfundojmë me ta me datën 15 maj do ta kemi përfundimisht draftin final dhe do ta procedojmë për në seancën plenare. Raporti do të jetë pa dëshminë e presidentit, por normalisht ku konstatohet se presidenti nuk ka qenë i gatshëm për të dëshmuar”, është shprehur Selmanaj për FaktePlus.
Eksperti i angazhuar nga Komisionit, Tienmu Ma, e për të cilin presidenti Thaçi kërkoi interpretim ligjor nëse është bërë shkelje ligjore me angazhimin e tij, ka hartuar një draft raport, të cilin kryetari dhe nënkryetari i komisionit Xhelal Sveçla e Driton Selmanaj e kanë dërguar në Prokurorisë Speciale të Kosovës.
Por, Selmanaj tha për FaktePlus se nëse ka material të ri, atëherë do ta plotësojnë këtë raport, e nëse jo, atëherë këtë do ta finalizojnë dhe do ta dërgojnë në Kryesinë e Kuvendit për ta proceduar më pas për diskutim në seancën plenare.
“Normalisht do ta plotësojmë në rast se ka nevojë për t’u plotësuar me këto dëshmitë e dëshmitarëve të rinj. Nëse ka nevojë, nëse jo atëherë do të mbetet i njëjti. Por do ta diskutojmë brenda Komisionit dhe të vendosim se si të veprojmë. Me 15 maj është data përfundimtare, kur do ta procedojmë për në Kryesinë e Kuvendit”, theksoi Selmanaj.
Para Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me ndriçimin e rastit të dëbimit të gjashtë shtetasve turq deri më tani kanë dëshmuar zyrtarë policorë, ata të AKI-së, si shefi dhe ish shefi i AKI-së, Shpend Maxhuni e Driton Gashi, familjarë të shtetasve turq, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj dhe zyrtarë tjerë të shtetit./FaktePlus