Komisioni Evropian tregon se në dorën e kujt është “topi” për liberalizim të vizave
Festime në Ministrinë e Integrimeve Evropiane, por edhe në ministri të tjera në Qeverinë e Kosovës u patën bërë më 4 maj të vitit 2016, kur Komisioni Evropian kishte dhënë dritën jeshile për heqjen e vizave për Kosovën.
Por, përfundimi i një procesi të tillë nuk ndodhi atë vit, ndërsa premtimet për liberalizimin e vizave janë dhënë gjatë çdo viti.
E, nga atëherë kanë kaluar tri vite, mirëpo qytetarët e Kosovës vazhdojnë të jenë më të izoluarit në Evropë si pasojë e mosliberalizimit të vizave nga Bashkimi Evropian.
Por, vizat nuk u hoqën edhe pas konfirmimit të Komisionit Evropian, i cili korrikun e vitit 2018 tha se Kosova i ka plotësuar edhe dy kushtet e fundit për liberalizim: Demarkacionin dhe arritjet në luftimin e krimit dhe korrupsionit.
Burime brenda Komisionit Evropian, kanë bërë të ditur për FaktePlus se Komisioni tashmë ka kryer punën e tij, por se çështja e liberalizimit të vizave është në dorën e Parlamentit dhe Këshillit Evropian.
“Tani është në dorën e Parlamentit Evropian dhe Këshillit që t’ia miratojë propozimin e Komisionit për liberalizimin e vizave”, thonë burime brenda Komisionit Evropian.
Më 18 korrik 2018 Komisioni Evropian ka konfirmuar që Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet e Udhërrëfyesit, përfshirë dy kërkesat paraprake, ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi dhe performancë në fuqizimin e luftës kundër krimit dhe korrupsionit.
E, derisa në Komisionin Evropian kanë thënë për FaktePlus se vendimi për lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës është në duart e Parlamentit dhe Këshillit Evropian, gjatë ditës së djeshme raportuesja për liberalizimin e vizave për Kosovën në Parlamentin Evropian, Tanja Fajon ka deklaruar për FaktePlus se nuk dëshiron të jep afate se kur mund të ndodhë liberalizimi.
“Nuk do të doja të jepja afatet e sakta kur do të mund të ndodh liberalizimi. Pasi Këshilli të ketë dhënë dritën e gjelbër, Rregullorja mund të miratohet me shpejtësi. Topi është në duart e qeverive të BE-së. Si raportuese, do të bëj gjithçka që është në fuqinë time, për ta bërë të realizueshme këtë, për qytetarët e Kosovës që të udhëtojnë pa viza sa më shpejtë që të jetë e mundur”, ka thënë Fajon për FaktePlus.
Ajo tha se do të angazhohet maksimalisht që ky proces të përmbyllet sa më parë dhe shtoi se argumentet kundër që mund të kenë disa shtete anëtare të BE-së tani nuk do të mund të justifikohen./FaktePlus