Komisioni Evropian: Kosova ka përmbushur kriteret për liberalizim, Kurti harron vizat
Lëvizja e lirë e qytetarëve të Kosovës në zonën Schengen, apo siç njihet ndryshe si liberalizimi i vizave në diskursin e politikës brenda dhe jashtë vendit, ka nisur që nga viti 2010.
Por, pavarësisht që tashmë po bëhen dhjetë vite kur ky proces ka filluar, qytetarët e Kosovës vazhdojnë të jenë ende të izoluar.
Madje, sinjalet që aktualisht dërgohen, qoftë nga vendet e Bashkimit Evropian, por edhe nga vetë institucionet e Kosovës, flasin për skepticizëm që kjo të realizohet së shpejti, shkruan FaktePlus.
Sot e asaj dite liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës vazhdon të mbetet sfidë tashmë edhe për Qeverinë Kurti, e cila është votuar gjatë ditës së djeshme.
Por, pavarësisht kësaj kryeministri i sapozgjedhur Albin Kurti gjatë prezantimit të planit të tij qeverisës para deputetëve nuk e përmendi fare këtë çështje.
Kurti, ka folur për çështjen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, por jo edhe për liberalizim të vizave.
E, derisa pritja për qytetarët e Kosovës po vazhdon, në një përgjigje për FaktePlus në Komisionin Evropian theksojnë se tashmë është e konfirmuar se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim të vizave.
“Komisioni Evropian në korrik të vitit 2018 ka konfirmuar se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret e udhërrëfyesit për liberalizim të vizave dhe ky vlerësim mbetet akoma. Pas votimit në Parlamentin Evropian, tani është radha e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian që të ecin përpara me këtë çështje”, thuhet në përgjigjen e Komisionit Evropian për FaktePlus.
Madje, Komisioni Evropian ka edhe një kërkesë për shtetet anëtare të Bashkimit Evropian.
“Ne i inkurajojmë këto shtete që të vazhdojnë me kërkesat për heqjen e vizave për Kosovës”, kanë thënë zyrtarë të Komisionit Evropian për FaktePlus.
Kurse gjatë javës së kaluar, ditën e enjte, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, e vizitoi Kosovën.
Gjatë takimit me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, Borrell, ka ripërsëritur qëndrimin e Komisionit Evropian dhe të Parlamentit Evropian, duke thënë se “është koha e duhur që të lëvizet dhe të përfundohet me kërkesat teknike”, por ai gjithashtu, ka shtuar se nuk mund të garantojë asgjë pasi që vendimi merret nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian.
Presidenti Thaçi, ndërkaq, ka shprehur zhgënjimin, siç ka thënë ai, të qytetarëve, për mosliberalizimin e vizave dhe për, siç i ka quajtur ai, standardet e dyfishta në raport me Kosovë, pavarësisht përmbushjes së kritereve nga ana e kësaj të fundit.
Ai e ka cilësuar këtë si trajtim të padrejtë dhe të pabarabartë të Kosovës nga ana e BE-së, i cili duhet të marrë fund.
Kosovarët janë të vetmit në Ballkan që u duhet viza për të udhëtuar në vendet e Bashkimit Evropian. Tash mbetet të shihet se cila do të jetë qasje e Qeverisë Kurti për këtë proces të stërzgjatur./FaktePlus