Komandanti i Policisë, Emin Beqiri, pengesë që investitorët britanik të vijnë në Ferizaj
Ambasadori i Britanisë së Madhe, Ruari O’Connell, ka thënë se është problematike kur në Kosovë nuk ndëshkohen ata të cilët janë zënë në krim dhe korrupsion.
Ai bëri këtë deklaratë derisa u përgjigj në një pyetje të shtruar nga një qytetar rreth mos dënimit të njerëzve të fuqishëm, duke përmendur Sami Lushtakun e shumë tjerë.
“A mendoni qe problemi kryesor në Kosove janë gjykatësit e korruptuar apo disa te frikuar për te dënuar politikan kriminel ose te korruptuar. Siç është rasti i Sami Lushtakut që u shpall i pafajshëm dhe qe asnjë politikan i korruptuar nuk po dënohet. Çfarë praktike propozoni qe te njëjtit te dënohen”, ka shtruar një pyetje një qytetarë për ambasadorin O’Connell.
Diplomatit britanik e ka quajtur problem të madh këtë fenomen. E në këtë rast, O’Connell, ka përmendur mos dënimin e shefit të Policisë në Ferizaj, Emin Beqiri, i cili ishte zënë në vepra të paligjshme.
‘Mendoj qe ky është vërtetë një problem. Rasti i Emin Beqirit me vjen në mendje. Ai ishte incizuar duke u përfshirë në gjëra të këqija. Ai u shpall i fajshëm nga Gjykata Themelore, dhe është hedhur poshtë nga Gjykata e Apelit, për derisa Gjykata Supreme e sheh si jo të ligjshme, por sipas standardeve te të drejtave të njeriut që janë të rëndësishme që në përgjithësi, Beqiri nuk vuajti asnjë dënim. Dhe pastaj transferohet dhe nuk largohet nga puna nga ana e policisë. Ai është shef i policisë ne Ferizaj”, u përgjigj O’Connell.
Me tutje në përgjigjën e tij, ambasadori britanik ka thënë se ka shumë investitorë britanik që duan të investojnë në Ferizaj, por si mund të ulet me ta dhe t’iu thotë se janë të sigurt sepse i ruan Policia, kur në krye të saj në Feriza është Emin Beqiri.
“Unë kam investitor Britanik të cilët duan të investojnë në Ferizaj, por si mund të ulëm unë në takim me ta dhe t’iu them ‘Mos u brengosni sepse policia në Ferizaj do t’iu ruaje’, kur ne e dimë se njerëzit si këta udhëheqin Policinë, dhe kur e dimë që këto lidhje me kriminalitetin vazhdojnë dhe kur sistemet gjyqësore bëjnë gabime dhe nuk ka përgjegjësi për ata gjykatës që janë duke i bërë këto, dhe është një fjalë për këtë: kapje e shtetit”, ka theksuar O’Connell.
Po ashtu, diplomati britanik ka shtuar se është jetësore të ndodhin ndryshimet në sistemin e drejtësisë.
“Është jetësore që ndryshimet të ndodhin. Jemi duke punuar me Ministrinë e Drejtësisë dhe është me rëndësi te themi dy gjera: Kosova ka nevoje për asistencë që të sigurohet integriteti i gjykatësve dhe prokuroreve që këto mos te ndodhin në të ardhmen. Por edhe këta gjykatës dhe prokurorë të cilët nuk pajtohen me atë që ndodhë, të tregojnë trimëri. Kemi parë disa arrestime javën e kaluar dhe është me rëndësi jetësore që gjithë sistemi të dije se ne jemi duke vëzhguar dhe Bashkësia Ndërkombëtare është duke vëzhguar. Ne dëshirojmë të shohim rezultate dhe prokuroret sikur z. Hamiti qe kane treguar guxim do kenë gjithmonë përkrahjen tonë”, është shprehur ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruari O’Connell./FaktePlus