Komandant Remi për Gjykatën Speciale: E vërteta që po vjen në dritë
Ish- komandanti i UÇK-së për Zonën Operative të Llapit, Rrustem Mustafa ka komentuar të premten rolin e Gjykatës Speciale me seli në Hagë.
Ai në një shkrim në rrjetin social ka thënë se Gjykata Speciale duhet t’i mbyllë gjithë ato të pa vërteta që janë prodhuar mbi lavdinë e luftës së UÇK-së dhe kombin shqiptar.
“Udhëheqësit e UÇK-së, padyshim do të hyjnë në analet e historisë si kulmi i përpjekjeve për të çliruar shqiptarët njëherë e mirë, por edhe si goditja më e fortë bolshevizmit dhe aleatëve të saj, duke fituar e bardha mbi të zezën”, ka thënë mes tjerash Rrustem Mustafa, i cili edhe vetë është intervistuar nga prokurorët në Hagë.
Ky është postimi i plotë dhe pa ndërhyrje i Mustafës:
E vërteta që po vjen në dritë!
Gjykata Speciale duhet t’mbyllë gjithë ato të pa vërtetat e prodhuara mbi lavdinë e luftës së UÇK-së, Kombi Shqiptar të marrë përsipër angazhime të reja racionale dhe zhvillimore…
UÇK duke fituar përkrahjen me aleancen e NATO-s, prishi balancat politike strategjike për Ballkanin dhe më gjërë, ato politika i orjentoi nga përëndimi duke nga bllokuar bolshevik dhe lindje…
Veçantia e luftës për lirinë dhe pavarësinë e Kosoves, nëse analizohet në një paralele me historikun e luftërave për liri, ishte fuzionimi i UÇK-së dhe NATO-s përkundër kritikëve të kësaj aleance nga vende të fuqishme pro-ruse e antishqiptare.
Këto dy fuqi, UÇK e vogël e në kërkim të lirisë, NATO e madhe e në shërbim të demokracisë, me objektiva të ngjashme, e nje partneritet me shumë të panjohura, të paralizojnë forcat e errëta e të dirigjuara nga Kremlini që nuk kurseheshin në investimet e tyre kundrejt lirisë së Kosovës.
Periudha pas çlirimit, po ashtu karakterizohet me veçantinë e luftës së ashpër të uzinave anti-shqiptare, nëpërmjet shërbimeve inteligjente të infiltruara në çdo cep të Kosoves.
Sado të paralizuara, ato arritën të ngrejnë kurthe, të prodhojnë propagandë anti UÇK, të shantazhojnë e mashtrojnë, e cka jo tjetër, me qëllim të rrënimit të amalgamës UÇK-NATO dhe në funksion të zhbërjes së lirisë së fituar me gjak.
Produktet e kësaj fushate anti UÇK dhe anti-shqiptare në përgjithësi, janë evidente dhe më subtanciale ndër to është vet Gjykata Speciale, por ajo çfarë nuk arritën kurrë, është tendenca e pakompromis për të zhbërë aleancën e shteteve mike e pro-demokratike, me pasuesit e UÇK-së dhe me shtetin e Kosovës.
Udhëheqësit e UÇK, padyshim do të hyjnë në analet e historisë si kulmi i përpjekjeve për të çliruar shqiptarët njëherë e mirë, por edhe si goditja më e fortë bolshevizmit dhe aleatëve të saj, duke fituar e bardha mbi të zezën…