Koci: Klienti im po intervistohet nga Specialja në një hotel
Avokati Arianit Koci ka njoftuar se një prej klientëve të tij është ftuar nga Gjykata Speciale për t’u marrë në pyetje.
Por, në vend që intervistimi i tij të bëhet në objektet e Dhomave të Specializuara dhe të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, i njëjti po intervistohet në një hotel.
Koci nuk ka treguar se për cilin person bëhet fjalë e as për vendin se ku është duke qëndruar klienti i tij, por ka thënë se kjo po “lë përshtypje të joseriozitetit”.
“E kam pranuar konfirmimin nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, se njëri prej klientëve të mi, do të intervistohet në cilësinë e të dyshuarit – në hotelin ku do të qëndrojë. Me kohën që e kanë pasur, buxhetin, dhe infrastrukturën që e kanë Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – marrja në pyetje e të dyshuarit në hotel, po e len përshtypjen e joseriozitetit”, ka thënë Koci, duke theksuar njëkohësisht se me këtë “besoj, po trajtohemi në mënyrë të padinjitetshme”.