Koalicioni qeverisës, deputetja e VV-së gjuan fajin te Agim Veliu
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu ka deklaruar se roli i nënkryetarit të parë të LDK-së, Agim Veliut në negociatat për koalicion është vështirësues.
Kryeziu thotë se vazhdimisht Agim Veliu e ka pasur këtë tendencë e për këtë arsye ka pasur probleme të vazhdueshme gjatë negociatave.
“Roli i Agim Veliu definitivisht po e vështirëson dhe tendenca e tij e vazhdueshme është që ta bëjë këtë, ta vështirësojë një marrëveshje të mundshme nuk e di përse, por, këtë e ka bërë prej fillimit. Prej kur kemi parë që Agim Veliu ka filluar të dalë në skenë, kemi parë edhe probleme të vazhdueshme që janë paraqitur gjatë negociatave”, tha ajo në t7.
Deputetja Kryeziu nuk ka komentuar nëse kjo po bëhet për arsye se Veliu po tenton bashkëpunimin me ndonjë parti tjetër në koalicion, megjithatë, shton se këto qëndrime po e bëjnë të pamundur arritjen e marrëveshjes.
“Nuk e di a është kjo arsyeja, apo ka diçka përtej kësaj qe në do të duhet ta analizonim megjithatë arsye që janë të brendshme. Megjithatë, roli i tij është parë vështirësues kjo as nuk mund të mohohet është diçka që është parë dhe reflektuar vazhdimisht, vetë qëndrimet e tyre me statuse në rrjete sociale kanë reflektuar se po bëhet e pamundur arritja e një marrëveshje”, ka thënë e njëjta.
Kryeziu ka folur për takimin e sotëm të Albin Kurtit me emisarin e SHBA-së, Richard Grenell dhe për bisedimet me Lidhjen Demokratike të Kosovës, si përpjekje për koalicionin qeverisës.
“U diskutua për faktin se SHBA nuk do që të interferojë në proceset e brendshme të shtet ndërtimit, kjo ka qenë ajo që është diskutuar edhe brenda. Vetëvendosje vazhdimisht, edhe kur e ka kërkuar votën e qytetarit e ka kërkuar duke premtuar vende të reja të punës”, thotë Kryeziu.
Deputetja e VV-së thotë se arsyeja se pse nuk ka marrëveshje me Lidhjen Demokratike të Kosovës, janë këta të fundit, siç thotë ajo, faji nuk është te Lëvizja Vetëvendosje.
“Nuk është faji te LVV, nuk jemi ne që nuk po mundemi të krijojmë qeverinë, kemi dy parti politike që të marrin qeverisjen e vendit për katër vitet e ardhshme, janë dy parti që nëse duhet të fajësohen duhet që t’i ndajnë përgjegjësitë bashkë. Nuk po besoj që edhe ata vet nuk po e dinë se çka nuk po ju konvenon, sepse vazhdimisht po i ndërrojnë kërkesat”, ka theksuar ajo.