“Koalicioni LVV-LDK do të ndodhë në minutat e fundit”
Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, ende nuk po mund të arrijnë kompromis mes vete për arritjen e marrëveshjes për bashkëqeverisje.
Ani pse që të dy liderët e dy subjekteve politike Albin Kurti dhe Isa Mustafa, kanë mbajtur disa takime për të rënë në ujdi për arritjen e koalicionit, por moslëshimi pe i asnjërës palë për disa nga pozitat qeverisëse po vazhdon të mbajë peng marrëveshjen.
Ndërsa, mandatarit për formim të Qeverisë, Albin Kurtit i kanë mbetur vetëm edhe katër ditë për ta formuar qeverinë e re, prej ditës kur edhe është mandatuar nga presidenti i vendit, Hashim Thaçi.
Takimi i fundit, mes Kurtit e Mustafës është mbajtur të martën në mbrëmje në prani të ambasadorëve të vendeve të Quint-it, e i cili ka zgjatur me orë të tëra, por pa ndonjë rezultat, shkruan FaktePlus.
Por, çka do të ndodhë kur tani Kurtit i kanë mbetur vetëm edhe katër ditë afat për formim të Qeverisë dhe në fakt tashmë është caktuar seanca më 3 shkurt (e hënë) për votimin e Qeverisë.
Analisti politik, Nexhmedin Spahiu, thotë për FaktePlus se pavarësisht mospajtimeve në mes LVV-së dhe LDK-së, koalicioni do të ndodh në minutat e fundit.
“Unë vazhdimisht e kam thënë se koalicioni do të bëhet në minutat e fundit që besoj që ai do të arrihet kur do të jen lodhur më prej gjithë këtij ngërçi dhe besoj që do të bëhet. Besoj që në minutat e fundit do të lëshon pe njëra palë dhe do të bëhet, përndryshe humbin të dyja palët”, ka thënë Spahiu.
I pyetur, se cila palë do të lëshojë pe për arritjen e kësaj marrëveshje, Spahiu ka deklaruar se deri më tani në këto negociata pe ka lëshuar me shumë Lëvizja Vetëvendosje.
Por, ka kritikuar kryetarin e LDK-së, Isa Mustafën duke thënë se negocimi i tij është i pasinqertë.
“Negocimi i LDK-së është i pasinqertë nga ana e Isa Mustafës për shkak se interesat e tij nuk janë të përputhshme me interesat e LDK-së, do të thotë Mustafa ka interesa të tjera prej atyre që ka partia kështu që është vështirë e kuptueshme se çka në realitet ai kërkon në negociata. Ajo që dihet është se ai dëshiron që ta ketë pozitën e presidentit dhe ti favorizojë të besuarit e vet, t’iu krijojë një hapësirë të besuarve të vet, pra t’i lërë anash kundërshtarët që i ka në parti”, ka thënë ai.
Si alternativë tjetër Spahiu, thotë se nëse nuk arrihet marrëveshja LVV-LDK, atëherë mund të ndodh koalicioni LDK-AAK-Nisma dhe minoritetet.
Ndërsa, analisti tjetër Belul Beqaj, thotë se marrëveshja mes këtyre dy subjekteve politike mund të arrihet vetëm nëse këto të fundit i analizojnë përparësitë e marrëveshjes dhe i krahasojnë me pasojat e dështimit.
“Besoj se nëse (LVV-LDK) analizojnë përparësitë e marrëveshjes dhe i krahasojnë me pasojat e dështimit, do të arrihet marrëveshja. Çdo gjykim racional politik nënkupton se do të ketë zgjidhje pavarësisht se stërzgjatja ka qenë jo racionale”, ka thënë Beqaj për FaktePlus.
Kurse, duke folur për skenarë të tjerë nëse LVV-LDK nuk arrijnë marrëveshje deri më 4 shkurt, Beqaj ka deklaruar se alternativë e vetme janë zgjedhjet.
“Mund të ketë skenarë të ndryshëm, por alternativa e vetme për të dalë nga ky qorrsokak janë zgjedhjet”, ka thënë ai.
Sipas Kushtetutës, prej momentit që presidenti Thaçi mandaton Kurtin për kryeministër, nis edhe rrjedhja e afatit kushtetues prej 15 ditësh për krijimin e ekzekutivit. E që Kurtit tashmë i kanë mbetur edhe 4 ditë kohë për ta krijuar ekzekutivin.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë janë mbajtur më 6 tetor të vitit 2019. Lëvizja Vetëvendosje ka fituar më së shumti vota, e përcjellë nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Zgjedhjet erdhën pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit të Kosovës, pasi që ai kishte marrë ftesë për intervistë në cilësinë e të dyshuarit nga Gjykata Speciale me seli në Hagë.
Në mungesë të formimit të qeverisë së re, Kosova ende qeveriset nga qeveria në detyrë e cila ka kufizime në marrjen e vendimeve. Çështja më urgjente, aktualisht, po konsiderohet ajo e miratimit të buxhetit, pasi që nga muaji prill, nëse nuk miratohet buxheti, autoritetet aktuale qeverisëse kanë paralajmëruar mundësinë e krizës buxhetore./FaktePlus