Koalicioni AAK-Nisma, Kadaj-Bujupi optimiste për arritje të marrëveshjes
Pas zyrtarizimit të koalicionit me PSD-në e Shpend Ahmetit, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) tani ka shprehur gatishmërinë që t’i ofrohet për bashkëpunim edhe Nismës Socialdemokrate të Fatmir Limajt. Zyrtarët e AAK-së thonë për FaktePlus se një koalicion me këto parti do të jepte garanci për një qeverisje stabile, e cila do të mundësonte që Kosova ta mbrojë përfundimisht sovranitetin dhe integritetin e saj territorial.
Ishte vetë kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj që menjëherë pas lidhjes së koalicionit me PSD-në, tha se sot (e martë) do të takohet edhe me kryetarin e NISMA-s, Fatmir Limajn për të diskutuar për mundësinë e një bashkëpunimi të ri.
Ndonëse nuk janë dhënë detaje se kur do të zhvillohet takimi mes Haradinajt e Limajt, zyrtarët e AAK-së thonë për FaktePlus se një koalicion me PSD-në e Nismën do të jepte garanci për një qeverisje stabile, e cila do të mundësonte që Kosova ta mbrojë përfundimisht sovranitetin dhe integritetin e saj territorial.
Deputetja nga radhët e AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi thotë se janë të interesuar që t’i ofrohen për bashkëpunim edhe Nismës Socialdemokrate, edhe për shkak të një tradite korrekte bashkëpunimi, por edhe për arsye më madhore e përtej-partiake.
“Kosova nuk gjendet para një procesi të thjeshtë zgjedhor, por para një referendumi, ku qytetarët do ta kenë mundësinë që të votojnë për idenë e shkëmbimeve territoriale apo kundër saj. Besimi im është që partitë që e kanë kundërshtuar ndarjen dhe e kanë përkrahur taksën, në këto zgjedhje nuk e kanë komoditetin që të ndahen në blloqe ideologjike, por të bëhen bashkë që Kosova ta mbrojë përfundimisht sovranitetin dhe integritetin e saj territorial”, ka thënë për FaktePlus Kadaj-Bujupi.
Ajo thotë se AAK-ja edhe e vetme është fituese e zgjedhjeve me përkrahjen që tashmë e ka ne teren, por me ardhjen e Nismës në koalicion, vetëm sa do ta thellohej fitorja.
“Në Aleancë nuk e nënçmojmë potencialin e asnjë partie, prandaj si PSD-ja, ashtu edhe Nisma do të jenë të nevojshme në zgjedhjet dhe qeverinë e ardhshme. Mundësitë janë, qëllimet e përbashkëta ekzistojnë. Nuk duhet të na ndajnë gjërat e vogla, sepse përpara vetes na presin punë të mëdha që janë jetike për qytetarët e vendit”, është shprehur ajo.
Këshilli Drejtues i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës e ka autorizuar kryetarin Ramush Haradinaj për vazhdimin e bisedimeve me partitë politike për arritjen e koalicioneve parazgjedhore.
Kështu dje AAK-ja dhe PSD-ja zyrtarizuan koalicionin parazgjedhor, ku prijës i listës zgjedhore do të jetë i pari i AAK-së, Ramush Haradinaj. Sipas marrëveshjes mes partive, Haradinaj do të jetë edhe kandidat për kryeministër, ndërsa Shpend Ahmeti do të jetë i dyti në listë zgjedhore.
Në këtë listë zgjedhore, PSD-ja do t’i ketë 25 kandidatë për deputetë.
Tani pritet të shihet nëse kësaj liste zgjedhore do t’i bashkohet edhe Nisma Socialdemokrate e Fatmir Limajt, e cila ishte partnere me AAK-në në qeverisjen e deritashme./FaktePlus