KMDLNj i reagon Trajkoviqit për deklaratën se Kurti e Osmani janë të rrezikuar
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka reaguar ndaj deklaratave të ish- deputetes Rada Trajkoviq, e cila ditë më parë ka thënë se jeta e Vjosa Osmanit dhe Albin Kurtit mund të jetë në rrezik.
KLMDLNj përmes një komunikatë thotë se deklarata e Trajkoviqit po shfaq shqetësim të madh dhe është qëllimkeqe.
Sipas KMDLNj-së, deklarata e zonjës Trajkoviq është deklaratë qëllimkeqe, përçarëse, pa u mbështetur në asnjë fakt të vetëm, por se bartë një porosi të rrezikshme për nxitjen e konfliktit midis fituesve të zgjedhjeve ( LVV dhe LDK ) dhe atyre që pësuan në zgjedhje ( PDK dhe AAK )
“Realisht, po të deklaronte se Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit iu rrezikohet jeta nga Serbia dhe ekstremistët serbë që edhe e vranë Oliver Ivanoviqin do të duhej të merrej si lajm qëllim-mirë shkaku se mund të ketë informata nga Serbia. Mirëpo, këtë “rrezik” për jetët e Albinit dhe Vjosës , Rada Trajkoviq e adreson te krahu i luftës i cili, sipas zonjës Trajkoviq i paska humbur zgjedhjet dhe për këtë arsye mund të rrezikojnë jetët e dy kryeministrave të mundshëm të Kosovës. Po në të njëjtën kohë, zyrtarë të Listës Serbe publikisht janë deklaruar se qenkan shumë të shqetësuar me Albin Kurtin shkaku se Albini e paska hidhëruar Aleksandar Vuçiqin të cilin e konsiderojnë udhëheqës të tyre”, thuhet në reagim.
KMDLNj-ja thotë se nëse Trajkoviq ka fakte që mbështesin dyshimin se rrezikohet jeta e Vjosa Osmanit dhe Albin Kurtit, atëherë adresa ku ajo duhet të drejtohet është Policia e Kosovës dhe Prokuroria e Shtetit.
“Nëse Rada Trajkoviq ka fakte që e mbështetin dyshimin dhe “shqetësimin” e saj për rrezikim të jetës së Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit, atëherë adresë ku duhet të drejtohet është Policia e Kosovës dhe Prokuroria e Shtetit”.
Në rastin konkret, KMDLNj mendon se Prokuroria e Shtetit duhet ta thërrasë për dëgjim zonjën Trajkoviq pas së cilës do të fillonte hetimet, ose ndaj atyre që sipas Rada Tarjkoviqit po e rrezikuakan jetën Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit ose ndaj Rada Trajkoviqit.