Klubit mitrovicas i refuzohen vizat nga ambasada e Austrisë për zhvillimin e lojës kundër ekipit austriak
Klubi futbollistik i femrave ‘Mitrovica’ ka reaguar pas refuzimit të vizave për lojaret nga Ambasada e Austrisë për lojën e planifikuar për datën 4 nëntor kundër ekipit austriak.
Në një postim në faqen e tyre në Facebook, KFF ‘Mitrovica’ kanë thënë se Ambasada e Austrisë, në Shkup, me qëllim që t’i krijojë favor ekipit austriak ” SKN St.Polten”, ia ka refuzuar vizat për lojtaret e ekipit, edhe pse termini ishte i caktuar dhe dokumentacioni ishte në rregull.
Sipas KFF ‘Mitrovica’ këtë vendim ambasada austriake e ka marrë me qëllim që t’i krijoj favor klubit austriak.
“Krejt këto manovrime Ambasada e Austrisë në Shkup sot i ka bërë me qëllim që t’i krijoj favor klubit austriak.”, thuhet në reagim./FaktePlus/
Postimi i plotë:
Reagim:
Ambasada e Austrisë, në Shkup, me qëllim që t’i krijojë favor ekipit austriak ” SKN St.Polten”, sot na i ka refuzuar vizat për lojtaret e ekipit tonë “Mitrovica”, edhe pse termini ishte i caktuar dhe dokumentacioni ishte në rregull.Ndeshja ka qenë e planifikuar për datën 4 Nëntor.
Ndeshja është kualifikuese për Ligen e Kampioneve, ndërsa Ambasada Austriake “kërkon” ftesë të klubit nga Austria.
Ne jemi klubi i 32 në Evropë i licencuar për gara Evropiane ndërsa Ambasasa Austriake shpik “kerkesa” që nuk kanë të bëjnë me sportin dhe klubet sportive.
Krejt këto manovrime Ambasada e Austrisë në Shkup sot i ka bërë me qëllim që t’i krijoj favor klubit austriak.
Ne si klub kemi bërë rezervimin e Hotelit, kemi siguruar transportin, kemi aplikuar për vizë duke paguar sigurimet shëndetësore për krejt klubin dhe Federata e Futbollit të Kosovës ka dhënë garancionin e nevojeshëm për ne.
Andaj mos paisja me viza e klubit tonë është përpjekje që loja me u vendos në tavolinë e jo ne fushë në mënyrë sportive.
Ne do te ndjekim te gjitha procedurat në konsultim me FFK dhe UEFA-n, me besim te plotë se rezultati sportiv duhet të vendoset ne fushë në lojën magjike të futbollit.
Si kryetar i klubit futbollistik të femrave “Mitrovica”, ndjej keqardhje për këtë refuzim sidomos nga lojtaret tona që po shënojnë suksese në vazhdimësi.
Hajrulla Haxhiu.