Klinaku insiston se ish-krerët e UÇK-së po mbahen peng nga Specialja, akuzën e quan banale
Ushtruesi i detyrës së kreut të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku, në një intervistë për Ekonominë Online tha se e ish-krerët e UÇK-së po mbahen peng nga Specialja dhe po u shkelen të drejtat.
Sipas tij, është dashur që hetimet të kryhen e më pas të ngrihet aktakuza. E krejt kjo thotë se po ndodh për shkak të arsyetimit të shpenzimeve.
Prej se i kanë marrë shokët tanë që ne e konsiderojmë që e i kanë marrë peng, sepse aktakuza kur t’i ngritet dikujt nuk ka nevojë që Prokuroria pastaj të merret me hetime. Është dashtë që të gjitha hetimet të kryhen pastaj të ngritet aktakuza dikujt”.
“I kanë zvarritë këto seanca për shkak të milionave që i shpenzojnë ata, i arsyetojnë ato shpenzime që i kanë që do të duhej të kishte së paku një drejtësi të mirëfilltë atje, por atyre po i shkelen shumë drejta, qoftë që mbahen në paraburgim në kohë të gjatë qoftë që nuk i lejojnë që të mbrohen në liri deri sa të fillon procesi gjyqësor”.
Klinaku tha se vazhdimisht e kanë kundërshtuar themelimin e kësaj gjykate dhe se kanë kërkuar që të formohet gjykatë vendore.
“Ne si organizatë, këshilli drejtues organi më i lartë i saj qysh prej datës 7 maj 2011 kemi kundërshtuar këtë drejtësi për shkak se kanë bërë skandale të ndryshme, kanë montuar prova dhe kanë zhdukur prova. Sidomos kanë dënuar njerër edhe pa fakte apo pa ndonjë dëshmitarë. Për këtë arsye ne kur e kemi kundërshtuar Gjykatën Speciale kemi kërkuar që të formohet një gjykatë vendore dhe të ndiqen të gjitha krimet e luftës që kanë ndodhur në Kosovë”.
Klinaku aktakuzën kundrejt ish-krerëve të UÇK-së e quan banale e që akuzohet e tërë lufta çlirimtare.
“Ata aktakuzën e kanë për të gjitha trevat që kanë ndodhur në Kosovë dhe për shumë raste që pjesëtarët e UÇK qoftë në Hagë, qoftë në procese gjyqësore të UNMIK-ut edhe të EULEX-it janë shpallur të pafajshëm dhe akuzohen tash krerët e UÇK-së për aktakuza që janë liruar të tjerët si drejtues të luftës”.
“Pastaj banale është akuza ndaj tyre që quhen ‘ndërmarrje e përbashkët kriminale’, kjo me të vërtetë do të duhej të ishte shqetësim edhe për institucionet e Kosovës por edhe për shoqërinë në përgjithësi”.
Klinaku thotë që prova për akuzimin e tyre nuk do të ketë e se herët a vonë do të shpallen të pafajshëm.
“Akuzohen për diçka apo për të tjerët që i kanë kryer ato procese gjyqësore dhe drejtuesit e luftës vetëm mbahen peng atje me vite të tëra, por në fund procesi gjyqësor do ti shpall të pafajshëm sepse UÇK-ja nuk ka kryer krime lufte dhe vazhdimisht e kemi kundërshtuar për shkak se edhe nuk po ndiqen krimet dhe masakrat që i ka shkaktuar Serbia pushtuese dhe serbët në Kosovë”.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po akuzohen nga Zyra e Prokurorisë së Specializuar me 6 akuza, për krime kundër njerëzimit, si përndjekje, burgosje, akte çnjerëzore, torturë, zhdukje dhe vrasje, si dhe me 4 pika për krime lufte, si arrestim, ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje të paligjshme.