Kjo është porosia e Apostolovës për politikanët kosovarë
Shefja e Zyrës së BE’së në Kosovë, Natalya Apostolova, në një intervistë për Gazetën Express ka folur rreth çështjes së liberalizimit të vizave, vonesave në krijimin e qeverisë së re, dialogun Kosovë-Serbi dhe rreth asaj se si do të bashkëpunojnë me Kroacinë përgjatë kohës sa ky shtet do të udhëheq me presidencën e Bashkimit Evropian.
Apostolova, thotë se tashmë çështja e liberalizimit të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës është në dorë të shteteve anëtarë të Bashkimit Evropian. Në këtë intervistë Apostolova ka thënë se shpreson që Kroacia përgjatë kohës sa do të udhëheq presidencën e BE’së do të nxisë bisedimet për çështjen e heqjes së regjimit të vizave për kosovarët.
“Kroacia e ka marrë presidencën e BE-së në një moment shumë të rëndësishëm sigurisht edhe për Bashkimin Evropian. Aktualisht është fillimi i Komisionit të ri, kemi lidership të ri. Një prej roleve kryesore të Kroacisë është për të lehtësuar dhe në një mënyrë për të organizuar në mënyrën më të mirë këto procese që do të dërgojnë drejt vendimeve të rëndësishme nga Këshilli dhe Shtetet Anëtare për heqjen e vizave për Kosovën”, ka thënë Apostolova gjatë një eventi të organizuar për prezantimin e prioriteteve të Presidencës kroate.
Ajo ka kujtuar se edhe si Zyrë e BE’së në Prishtinë por edhe Parlamenti Evropian kanë propozuar liberalizimin e vizave për Kosovën, por Apostolova potencon se tashmë vendimi është në duart e shteteve anëtare.
“Siç e dini ne këtu dhe Parlamenti e kemi propozuar këtë më parë, tashmë është në dorë të Shteteve të anëtare për të marrë një vendim. Shpresojmë që Kroacia përgjatë presidencës së saj do t’i nxisë këto bisedime dhe të përgatisin formatet. Por për këtë duhet të kemi qeveri në Kosovë. Është shumë e rëndësishme një qeveri që do të jetë partneri ynë për ta implementuar këtë”, ka shtuar ajo.
Apostolova në këtë intervistë ka folur edhe për takimin e 28 janarit me krerët e LDK’së dhe Vetëvendosjes. Ajo ka sqaruar se fillimisht kishin pranuar ftesë nga kreu i VV’së, Albin Kurti, e më pas edhe nga Isa Mustafa.
Shefja e BE’së në Kosovë edhe një herë ka theksuar se në atë takim nuk kanë shkuar për të ndërmjetësuar në negociata, por vetëm për të dëgjuar diskutimet e palëve rreth përpjekjeve për koalicion.
Apostolova ka thënë se politikanët në Kosovë duhet të dëgjojnë zërin e qytetarëve, dhe të vendosin interesat e popullit mbi interesin partiak.
“ Me të vërtetë dje disa prej ambasadorëve në Kosovë përfshirë edhe veten kemi pranuar ftesa nga dy liderët e partisë. Fillimisht Albin Kurti, ndërkohë më vonë kemi pranuar gjithashtu ftesë nga Isa Mustafa, për të observuar negociatat e dy partive. Ne e kemi bërë këtë me kolegët e mi. Ne nuk jemi duke ndërmjetësuar, dua ta bëjë këtë të qartë. Këtë qëndrim e keni parë edhe nga ambasadorët e QUINT-it, ne nuk e kemi këtë rol. Ne nuk duam të përfshihemi në krijimin e qeverisë, ne nuk e kemi këtë të drejtë. Por ajo çfarë po bëjmë, është që po e bëjmë punën tonë. Ne jemi ambasador dhe jemi të obliguar të pranojmë çdo ftesë që marrim. Ne ishim atje, i pranuam diskutimet ndërmjet dy palëve. Çfarë mund të them për dy partitë është që të dëgjojnë zërin e kosovarëve. Ata votuan më 6 tetor. Krijimi i Qeverisë po merr shumë kohë, dhe mesazhi im është që secili politikan në këtë vend është të marrë përgjegjësi dhe të mendojnë për popullin e Kosovës dhe interesin e popullit përpara interesit partiak”, ka potencuar ajo.
Ndërkohë sa i përket punës që po bën Përfaqësuesi Special i SHBA’së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, Apostolova thotë se përpjekjet e tij janë të mirëseardhura, ndërkohë rikujton se dialgou nuk ka ndryshuar format dhe që BE’ja do të përmbush obligimet e saja sa i përket dialogut në përputhje me Rezolutën e Këshillit të Sigurimit.
“ Aktualisht BE’ja është duke lehtësuar dialogun bazuar në Rezolutën e Këshillit të Sigurimit. Kjo është edhe dëshira e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara dhe sigurisht që BE’ja do të përmbush obligimet. Çdo palë tjetër dhe aktor apo shtet që ndihmon procesin është i mirëseardhur. Mendoj që ambasadori Grenell është dedikuar të punojë më shumë në aspektin ekonomik të normalizimit të raporteve Kosovë-Serbi. Sigurisht që përpjekjet e tij janë të mirëseardhura. Dhe ne duam të shohim më shumë nga aspekti ekonomik. Por dialogu nuk ka ndryshuar formatin. Dhe them se nuk duhet të shqetësohemi për rolin e BE’së në të (dialog)”, ka përfunduar Apostolova.