Kjo do të jetë kërkesa e parë e drejtorit të Shpend Ahmetit për Qeverinë e Albin Kurtit
Kandidat potencial për kryeministër të Qeverisë së ardhshme, është Albin Kurti, që njëherit është edhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje. Parti kjo në të cilën dikur ishte edhe Shpend Ahmeti, i cili mori edhe timonin e Komunës së Prishtinës, por që tani është ndarë nga Kurti.
Ahmeti viteve të fundit ka pasur një bashkëpunim të mirë me kryeministrin në largim, Ramush Haradinaj, por mbetët të shihet se si do të komunikojë e bashkëpunoj me kryeministrin në ardhje.
Pavarësisht kësaj, për kryeministrin e ardhshëm, drejtoria e Inspeksionit të Komunës së Prishtinës, tashmë e ka gati kërkesën.
Kryeinspektori i Prishtinës, Adonis Tahiri, ka thënë për Agjencinë Lajmeve FaktePlus, se nga qeveria e ardhshme do të kërkohet realizimi i Policisë së Kryeqytetit, që është e paraparë edhe me Ligjin e kryeqytetit.
“Nuk mund të flasim hepotetikisht për një qeveri që ende nuk është bërë. Për neve është e rëndësishme që t’i shtyjmë përpara projektet e Prishtinë. Dhe personalisht unë si inspeksion kërkesën e parë do ta kem për realizimin e kryeqytetit i cili është brenda ligjit të kryeqytetit por ende nuk është bërë asnjë udhëzim administrativ për zbatimin e tij”, tregon Tahiri.
Tahiri ka theksuar se për ta është e rëndësishme që të shtyhen përpara projektet e Prishtinës, dhe se nuk e kanë problem se kush do të jetë në krye të Qeverisë.
“Për neve ka rëndësi që t’i shtyjmë përpara projektet që janë të mira për qytetarëve të Prishtinës. Do të shohim nëse do ta kemi të njëjtën qasje edhe nga ana e qeverisë cilado që të jetë ajo”, potencon Tahiri.
Kuvendi i Kosovës në maj të 2018-ës ka miratuar Projektligjin për kryeqytetin me 66 vota pro, nga gjithsej 67 deputetë sa kanë marrë pjesë në votim. Dy amendamentet më të diskutuara, para votimit kanë qenë ai për caktimin e Prizrenit si kryeqytet historik, dhe ai për Policinë e kryeqytetit aktual, Prishtinës.
Me Ligjin për kryeqytetin, rregullohet organizimi dhe funksionimi i Prishtinës, i cili ka status të veçantë juridik sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Me këtë ligj, Prishtina ka stemën, vulën, emblemën dhe flamurin e vet në pajtim me legjislacionin për vetëqeverisje lokale dhe ligjet tjera përkatëse.
Sipas nenit 7, kryeqyteti përveç kompetencave të përcaktuara në Ligjin për Vetëqeverisje Lokale ushtron edhe kompetenca për sigurinë publike.
Policia themelon Drejtorinë e Policisë për kryeqytetin, organizimi dhe funksionimi i së cilës rregullohet me Ligjin për Policinë, e cila do të ketë kompetenca vetën në territorin e kryeqytetit./FaktePlus