“Kishte shenja kafshimi në trup”/ Prokuroria mbyll hetimet për 27-vjeçarin që dhunoi barbarisht vajzën e tij
Prokuroria e Tiranës ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim dosjen e shtetasit Rajmond Kunora, i cili akuzohet se dhunoi barbarisht vajzën e tij 6-vjeçare në Kamëz. Ai u arrestua në flagrancë, pasi ushtroi dhunë ndaj vajzës së tij minorene, e cila përfundoi në spital për ndihmë mjekësore.
Në atë kohë, denoncimi i tij erdhi nga Spitali Pediatrik Nënë Tereza në Tiranë dhe jo nga bashkëshortja e tij, pas dyshimeve të ngritura se ndaj vajzës së vogël ishte ushtruar dhunë. Nëna e 6-vjeçares, Marie Vorfi nuk e ka pranuar fillimisht faktin se bashkëshorti i saj mund të ketë ushtruar dhunë fizike ndaj vajzës, pasi sipas saj, bashkimi me të pas divorcit ishte bërë për faktin se vajza ndjehej mirë në praninë e të atit.
Ajo ka treguar se prej 6 vitesh ishte divorcuar me Kunorën, por vajza, për shkak të mallit për të atin, shfaqte shenja mërzie të ndryshme edhe pse nuk arrinte të shprehej në lidhje me to.
Vorfi thotë se një gjë të tillë e kuptoi, pasi vajza e saj filloi të shfaqë disa shenja jo të mira, sepse hante çdo gjë që gjente, duke filluar me copa druri, shapka, mbeturina toke, madje edhe flokët e veta i këpuste me dhëmbë. Nisur nga kjo gjendje e vajzës, Maria ka menduar të komunikojë më bashkëshortin, me idenë se prania e tij në shtëpi mund ta përmirësonte gjendjen e vajzës.
“Pasi bashkëshorti ka pranuar të vinte të jetonte me ata në banesë, të marrë me qira në Bathore, gjendja e vajzës është përmirësuar dhe ajo ndjehej e lumtur me të atin, duke mos shfaqur më shenjat e mësipërme”, tregon Marie Vorfi.
Mirëpo, në dosjen e Prokurorisë, tregon gazetarja Anila Hoxha, thuhet se 27-vjeçari ka ushtruar dhunë fizike ndaj vajzës së tij të mitur, duke e goditur me thupër dhe kafshuar disa herë në pjesë të ndryshme të trupit.
“Rajmond Kunora ka ushtruar dhunë fizike ndaj fëmijës së tij të mitur L.K., e moshës 6 vjeçe, duke e goditur me anë të një thupre disa herë në trupin e saj; tek këmbët, vithet, pas kurrizit, krahët, si dhe duke e kafshur me dhëmbë tek vithet dhe pjesët e tjera të trupit të saj”, citohet nga dosja.
Nga ana tjetër, nëna e 6-vjeçares, ka treguar se nuk e ka parë asnjëherë bashkëshortin të ushtrojë dhunë ndaj vajzës edhe pse kjo e fundit i kishte thënë se kishte frikë të qëndronte e vetme me të atin.
Maria thotë se gjatë orëve të darkës, Rajmondi kthehej në shtëpi dhe luante me vajzën, herë pas here, e kafshonte me dhëmbë në vende të ndryshme të trupit. Për të, këto gjeste ishin normale, pasi një baba nga malli mund të sillej kështu me vajzën e tij.
“Unë i thoja Rajmond mos u sill kështu, por më përgjigjej se kishte shumë mall dhe nuk i durohej”, citohet nga dosja.
Si u zbulua ngjarja?
Si çdo ditë vajza kishte shkuar në shkollë, ajo ndiqte klasën e parë, por përgjatë orës së fizkulturës nga vrapimi ajo është shprehur se nuk ndjehej mirë dhe se kishte probleme me frymëmarrjen. Por, rreth orës 20:30, vajzës i kanë vazhduar të vjellat.
Në atë moment, Rajmondi ndoshta edhe i frikësuar, ka telefonuar bashkëshorten e tij të cilës i ka thënë që të kthehej në shtëpi me urgjencë pasi vajza nuk ndjehej mirë.
Pasi Maria ka mbërritur në shtëpi, ka vënë re se gjendja e vajzës nuk po përmirësohej dhe ka vendosur ta dërgojë në spitlin e Kamzës.
Ajo është nisur nga shtëpia e tyre rreth orës 21:20 për ta çuar në spitalin e Kamzës, aty sfati mjekësor, i ka bërë një serum, si dhe i ka dhënë një ilaç nga goja, por në këtë moment vajza ka vjedhur përsëri.
Siç duket, duke parë gjendjen e 6-vjeçares, mjekët ndoshta edhe të frikësuar, i kanë sugjeruar asaj që ta dërgojë vajzën tek Pediatria në Tiranë, pasi gjendja e saj nuk dukej aspak e mirë.
Pasi vajza ka mbërritur në Pediatrinë e QSUT-së, asaj i janë kryer menjëherë një serum, analizat përkatëse dhe një Eko, por pas konsultave të mjekëve, nënës, i është thënë se vajza i ka rruazat të bardha dhe brenda organeve të saj dyshohet për hemorragji.
Pediatria e QSUT-së, duke parë gjendjen shëndetësore të vajzës, kanë rekomanduar shtrimin tek spitali i Traumës.
Çfarë deklaroi mësuesja e vajzës?
Vajza kishte vetëm dy javë që ndiqte klasën e parë në shkollën 9-Vjeçare “Halit Coka” në Bathore. Në klasën e saj studionin 34 nxënës nga këta tetëmbëdhjetë ishin vajza. Mësuesja ka rrëfyer se gjatë këtyre dy javëve ajo kishte pasur kontakte të rregullta me prindërit e saj, fizikisht dhe me anë të telefonit, pasi herë vinte njëri për ta marrë dhe herë vinte tjetri.
“Vajza ishte e qetë, e veshur mirë si gjithë të tjerët, në pushim ajo konsumonte ushqimin që i kishin dhënë prindërit me vete. Të vetmin shqetësim që më thanë prindërit e saj atë ditë që e sollën në klasë, ishte se ajo kishte shumë nevojë të dilte në tualet”, citohet nga dosja.
Mësuesja ka rrëfyer se vajza nuk kishte shfaqur asnjë shenjë negative, ajo ishte e shoqërueshme dhe i kushtonte rëndësi mësimeve dhe shoqeve të saj.
“Gjatë dy javësh që ajo ishte nxënëse pranë kësaj shkolle nuk kishte shfaqur asnjë dyshim tek ajo, pasi luante me nxënësit e tjerë, dhe as në të ushqyer dhe në mësime, por i vetmi problem që ajo kishte në krahasim me fëmijët e tjerë, ishte se kërkonte të dilte çdo orë mësimi në tualet, ajo është një fëmijë i shoqërueshëm me shokët e klasës dhe nuk kishte një tip që të rrinte e vetme”, tregohet në dosjen e Prokurorisë.
Mësuesja është shprehur se nuk ka konstatuar shenja dhune në fytyrën e saj dhe në asnjë pjesë të trupit, pasi tregon ajo, kur vajza mbaronte mësimin ajo çdo ditë shkonte dhe e përqafonte.
Dëshmia e babait
Pasi kishte mbaruar punën, Rajmond Kunora është kthyer në shtëpi rreth orës 18:30, aty ka gjetur vetëm vajzën e tij të mitur, sepse bashkëshortja ishte turn i dytë dhe ishte nisur për në punë.
Referuar dosjes së Prokurorisë, thuhet se sapo kanë kaluar vetëm 30 minuta, Kunora ka marrë një thuper jashtë në rrugë dhe ka filluar të godasë 6-vjeçaren në pjesë të ndryshme të trupit.
Arsyeja se pse e kishte dhunuar vajzën lidhej me telofonatat e shpeshta që kjo e fundit bënte me nënën e saj gjatë kohës kur ajo ishte në punë.
“Unë e kam rrahur vajzën pasi asaj i kisha lënë një telefon në shtëpi që kur të kishte nevojë të më telefononte, por ajo merrte shpesh herë nusen time, Marien, pasi ajo u mërziste, dhe me telefonatat e shpeshta që i bënte nuses e shqetësonte pasi ajo ishte në punë, për këtë arsye edhe e kam rrahur”, citohet nga dosja e Prokurorisë.
Në lidhje me kafshimet, Kunora tregon se nuk ishin shkaktuar nga dhuna por për shkak të lojrave që ai realizonte me të.
“Kafshimet kanë ardhur nga loja që luaja me vajzën, unë e puthja e kafshoja në pjesë të ndryshme të trupit. Kurse për shenjat e dhunës ai kishte bërë dje, pasi e goditi me thupër për ta ndëshkuar në lidhje me telefonatat që i bënte nënës së saj në orarin e punës”, thuhet në dosje.