Kinolli për FaktePlus: Nuk ka asgjë të vërtetë për kalimin tim në LDK
Një lajm ‘bombastik’ u publikua mbrëmë nëpër portale. Aty thuhej se tre deputetë nga pakicat do t’i bashkoheshin grupit parlamentar të LDK-së, duke e bërë këtë parti forcën politike më të përfaqësuar në Kuvend.
Bëhej fjalë për Etem Arifin nga Partia e Ashkalinjëve për Integrim, Veton Berishën nga Partia Liberale Egjiptiane dhe Albert Kinollin nga Partia Rome e Bashkuar e Kosovës.
Megjithatë edhe ky po del të jetë një ‘fake news’ i radhës. Pas Veton Berishës, Albert Kinolli ka thënë për FaktePlus se nuk ka asgjë të vërtetë në këtë mes.
Albert Kinolli nga Partia e Bashkuar Rome e Kosovës, ka mohuar kategorikisht se do t’i bashkohet LDK-së.
Kinolli i cili është deputet i zgjedhur në Kuvendin e Kosovës që u konstituua para pak javësh, tha për FaktePlus se këto pretendime i lexoi mbrëmë dhe nuk ka asgjë të vërtetë. Ai deklaroi se nëse do të ketë diçka të vërtetë, do ta thoshte vetë.
“Të jem i sinqertë edhe unë mbrëmë e kam lexuar nga ora 10 e diçka dhe kam mbetë i befasuar e i habitur. S’kam mujt me besu atë që është shkruar sepse në atë shkrim nuk ka asgjë të vërtetë. Unë e pyeta veten nga rrodhi ky lajm për shkak se pot ë kish pasë diçka të vërtetë, e kishim publiku vet. Për ata dy të tjerët nuk muj me të garantu, por sa i përket meje, nuk ka asgjë të tillë”, ka thënë Kinolli për FaktePlus.
Këto mohime më herët i kishte pretenduar edhe Veton Berisha nga Partia Liberale Egjiptiane. Ai tha se nuk kishte pasur kurrfarë takimi për këtë çështje me presidentin Thaçi dhe se po presin për një marrëveshje mes LDK-së dhe VV-së.
Kujtojmë që më herët ishte Elbert Krasniqi nga Partia Egjiptiane IRDK që i ishte bashkuar Vetëvendosjes, për t’ia çuar në 29 numrin e deputetëve.
Ndryshe, mëse tre muaj nga përfundimi i zgjedhjeve nuk ka ende marrëveshje për formimin e Qeverisë, pavarësisht takimit mes grupeve punuese e liderëve të LDK-së e VV-së, si dhe pak javë pas konstituimit të Kuvendit./FaktePlus