Kina akuzon një vend europian për shpërthim dhe përhapje të koronavirusit
Një studim gjeti gjurmë të Covid-19 që në shtator. Kina po hedh dyshime se Covid -19 ka shpërthyer për herë të parë në Itali.
Zyrtarë në Pekin po përdorin një studim, i cili tregon se virusi është hasur për herë të parë në fillim të Shtatorit të vitit 2019, tre muaj para se të konfirmohej shpërthimi i tij në qytetin kinez të Vuhanit.
Vendi aziatik ka hedhur më parë dyshime edhe mbi Spanjën, si vend origjine i pandemisë, apo edhe ushtrinë amerikane, duke pretenduar se ishte ajo që e solli virusin në Vuhan në Tetor të vitit të kaluar gjatë Lojërave Botërore Ushtarake.
Mediat shtetërore kineze po e shtyjnë fuqimisht idenë se studimi i ri nga Instituti Kombëtar i Kancerit provon se përhapja nisi në Itali dhe jo në Kinë.
“Kjo tregon edhe një herë se gjurmimi i burimit të virusit është një çështje komplekse shkencore që duhet t’u lihet në dorë shkencëtarëve. Është një proces në zhvillim që mund të përfshijë shumë vende”, tha një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Kinës.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka pranuar se është e mundur që virusi mund të ketë “qarkulluar në heshtje diku tjetër” para se të zbulohej në Vuhan.
Sidoqoftë, shumë shkencëtarë janë skeptikë ndaj pretendimeve se virusi e ka origjinën në Itali.
“Ne e dimë që Kina vonoi njoftimin e shpërthimit të pandemisë. Kështu që nuk ka asnjë kuptim. Kina ka lidhje shumë të forta tregtare me Italinë e Veriut”, tha Giovanni Apolone i Institutit Kombëtar të Kancerit në Milano, duke hedhur poshtë pretendimet.