Këto temperatura do të përcjellin Kosovën në ditët e ardhshme
Ditëve të ardhshme ftohtë, të premten mundësi për reshje të dobëta bore. Në fundjavë kthjellime, temperaturat gjatë ditës në rritje graduale.
5.02.2020 – Cikloni që solli motin e ftohtë dhe reshjet e borës po zhvendoset në lindje nga Deti i Zi. Mbi rajonin tonë, ditëve të ardhshme, do të shtrihen fusha të presionit të lartë që do të sjellin mot kryesisht të kthjellët dhe me diell, sidomos në fundjavë.
Reshjet e borës që ranë gjatë ditës së sotme, do të vazhdojnë përgjatë natës, e vende-vende edhe nesër në mëngjes.
Ditën e premte një front i ftohtë nga verilindja e kontinentit do të depërtojë në lindje të rajonit, e mbi vendin tonë do të shtojë vransirat, vende-vende priten mundësi për reshje të dobëta bore.
Në aspektin termik, do të mbetemi nën dominimin e masave të ftohta ajrore, por nga fundjava temperaturat gjatë ditës do të shënojnë rritje graduale.
Pas përmirësimit të cilësisë së ajrit ditën e mërkurë, me qetësimin e erërave nga e enjta mbrëma vlerat do të kalojnë në të pashëndetshme, e vlerat ditore do të luhaten përreth vlerave mesatare.
6.02 – Mot i ftohtë. Në mëngjes vende-vende mundësi për reshje të dobëta bore. Ditën me kthjellime dhe intervale më të gjata me diell.
7.02 – Kryesisht me vransira dhe intervale me diell. Në mbrëmje mundësi për reshje të dobëta lokale bore.
8.02-9.02 – Në fundjavë mot kryesisht me diell. Orëve të mëngjesit ngrica.
10.02 – Kryesisht me vransira, e gjatë ditës më butë.