Këto shërbime do t’i kenë falas klientët e bankave sipas rregullores së fundit të BQK-së
Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka nxjerrë një Rregullore, e cila iu mundëson klientëve të bankave kryerjen e pagesave përmes terminaleve POS pa ndonjë kosto shtesë.
Përmes një komunikate për media të lëshuar me 26 dhjetor të vitit që lamë pas, Bordi i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës kishte miratuar amandamentimet e “Rregullores për Instrumentet e Pagesave Elektronike”, të cilat do të hyjnë në fuqi nga data 01 shkurt 2020.
Me anë të këtyre ndryshimeve, klientët e bankave mund t’i përdorin kartelat e tyre për kryerjen e pagesave për blerjen e mallrave dhe shërbimeve, përmes të gjitha terminaleve POS pa marrë parasysh se cilës bankë i përkasin, pa aplikim të kostove shtesë.
Sipas BQK-së, këto ndryshime janë të bazuara në praktikat dhe standardet e BE-së, të cilat kanë për qëllim rritjen e përdorimit të kartelave dhe instrumenteve tjera të pagesave elektronike, si shërbime më efikase me kosto më të ulët për ofruesit dhe përdoruesit e shërbimeve të pagesave.
Me këtë rast, Banka Qendrore e Kosovës ka inkurajuar të gjithë qytetarët që të përdorin kartelat e tyre për pagesë, si mjete të sigurta pagese pa ndonjë kosto shtesë.