Këto janë simptomat dhe mënyrat e mbrojtjes nga koronavirusi
Qendra për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në Shtetet e Bashkuara ka njoftuar për simptomat më të zakonshme të virusit Covid-19 dhe për hapat që duhet të merren për t’u mbrojtur.
Sipas kësaj qendre, simptomat e virusit të ri mund të jenë fillimisht të lehta dhe të ngjajnë me simptomat e gripit të zakonshëm. Ato mund të shfaqen në një periudhë kohore nga 2 deri në 14 ditë pas ekspozimit ndaj virusit.
Simptomat më të shpeshta janë temperatura e lartë, kollitja e vazhdueshme, shkurtimi i frymëmarrjes, dhimbja muskulore dhe plogështia.
Qendra amerikane për kontrollin e sëmundjeve paralajmëron se shenja më serioze të sëmundjes janë vështirësia në frymëmarrje, dhimbja apo presioni i vazhdueshëm në gjoks dhe mavijosja e buzëve apo e fytyrës. Në këto raste, duhet të kërkoni menjëherë ndihmë mjekësore.
Si të mbrohemi nga koronavirusi?
Pastrojini duart me ujë dhe sapun për së paku 20 sekonda, sidomos pas rasteve kur keni qenë në një vend publik, pas pastrimit të hundës, pas kollitjes ose pas teshtitjes.
Mos i prekni dytë, hundën dhe gojën me duar të papastra.
Shmangeni kontaktin e afërt me njerëzit që janë të sëmurë apo që nuk ndihen mirë me shëndet.
Qëndroni në shtëpi dhe mos dilni në vende ku ka shumë njerëz.
Mbulojeni gojën dhe hundën kur kolliteni apo tështitni.
Pastrojini dhe dezinfektojini çdo ditë sipërfaqet që preken shpesh me duar.