Këto janë rezultatet e 32 punonjësve të çerdhes publike në Fushë Kosovë
Që nga fillimi i muajit qershor në Kosovë ka nisur faza e tretë lehtësuese e masave kundër koronavirusit, por menjëherë pas pak ditësh ka filluar edhe rritja e numrit të infeksioneve. Vetëm nga 1 qershori e deri më tani kanë rezultuar mbi 150 raste pozitive me COVID-19.
Nga infeksionet nuk u la pa u prekur edhe Komuna e Fushë Kosovës ani pse që nga fillimi i pandemisë kishte pak raste të infektimit.
Në mesin e rasteve të fundit në këtë komunë ishte edhe një edukatore e çerdhes publike “ Gëzimi Ynë” e cila kishte lidhje familjare në qytetin e Vushtrrisë, qytet ky i cili po prin me më së shumti raste të koronavirusit.
Si pasoj e kësaj i gjithë stafi ishte vetizoluar si dhe nuk ishte hapur çerdhja për pranimin e fëmijëve.
Në një prononcim për FaktePlus, drejtoresha e çerdhes “Gëzimi Ynë”, Sherife Tërnava ka treguar se stafi prej 32 personave është testuar nga IKSHPK-ja dhe se që të gjitha kanë rezultuar negative.
Tërnava tutje ka thënë se stafi i çerdhes tani është i gatshëm për punë.
“I gjithë stafi jonë është testuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, pra gjithsej 32 persona të stafit tonë janë testuar pas dyshimeve se kanë mundur të kenë kontakte me rastin e infektuar. Për fat të mirë që të gjithë kanë dalë negativë dhe se jemi të gatshëm për punë”, tha Tërnava.
Ndër të tjera Tërnava ka pohuar se rastet e fundit në Komunën e Fushë Kosovës ka bërë që të vonohet hapja e çerdhes publike.
“ Ne jemi në koordinim me drejtorin komunale për hapjen e çerdhes se mendojmë që shumë shpejt do të hapet por që jemi duke shqyrtuar edhe rastet e fundit që kanë dal në komunën tonë. Kjo ka bërë që të presim edhe pak”, është shprehur Tërnava duke shtuar se i gjithë objekti i çerdhes është dezinfektuar.
Ndryshe kjo çerdhe është e mbyllur që nga vendimi i qeverisë si masë parandaluese për përhapjen e koronavirusit./FaktePlus
Izolohen punëtorët e “Gëzimi Ynë”, drejtoresha e çerdhes jep detaje