Këto janë dy postet që po ndajnë LDK-në dhe Vetëvendosjen
Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, nuk po mund të merren vesh për të lidhur marrëveshje për koalicionin qeverisës. Ani se kryetari i Vetëvendosjes, premtoi se shumë shpejt do të arrihet marrëveshja, një gjë e tillë po duket paksa e vështirë.
Sipas asaj që mëson FaktePlus, pika ndarëse mes dy partive që dolën të parat në zgjedhjet e 6 tetorit, është ndarja e posteve. Sidomos, posti për presidentin dhe lufta se cila parti do ta këtë pozitë të lartë shtetërore, mandej edhe marrja e Ministrisë së Punëve të Brendshme.
“Pikë ndarëse aktualisht janë dy, është posti i presidentit dhe Ministria e Punëve të Brendshme, pasi LDK po ia kërkon VV-së të dyja këto, nëse Kurti dëshiron të bëhet kryeministër”, i ka thënë ky burim FaktePlus-it.
Edhe pse gjatë ditës së djeshme u zhvillua një takim mes kryetarit të LVV-së dhe atij të LDK-së, arritja e marrëveshjes u shty, pasi thanë se ende nuk kanë arritur të pajtohen.
Në dy partitë që po tentojnë të arrijnë marrëveshje për koalicion qeverisës, nuk kanë qenë të gatshëm të tregojnë se çka po i ndanë në finalizimin e marrëveshjes.
Anëtarja e kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka thënë shkurt për FaktePlus se nuk mund të thonë asgjë përveç asaj që kanë thënë dje dy kryetarët e partive, Albin Kurti e Isa Mustafa.
“Nuk mundem tani për tani të them asgjë, përveç asaj dje që është deklaruar”, ka thënë shkurt Haxhiu për FaktePluse.
As nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, nuk ka folur, duke preferuar që të flasin të tjerët nga zyra, meqë ai nuk gjendet në Kosovë.
Mirëpo, analistët kanë një vlerësim ndryshe rreth pengesave që kanë këto dy parti në arritjen e marrëveshjes për të formuar Qeverinë e ardhshme.
Analisti politik, Faton Abdullahu, thekson se para se të jenë postet ministrore pengesë për arritjen e marrëveshjes, është një tjetër pengesë mes LDK-së e Vetëvendosjes që nuk po i lë të arrijnë marrëveshje.
“Konsideroj se në rend të parë pengesa më e madhe për mos dakordim për konstituimin e qeverisë së re është mosbesimi që kanë liderët e këtyre dy partive për njëri tjetrin, apo thënë ndryshe, për parimet që i prezantojnë ata, ose që ju mungojnë atyre. Lëvizja Vetëvendosje bazuar në ligje dhe në aktin më të lartë Kushtetutën, ka fituar zgjedhjet dhe ka dal e para, sepse ka vota, edhe pse jo me dallim të madh, por më shumë se të tjerët, Mirëpo LVV-ja mjaftueshëm e para nuk mund të dal në asnjë variant për të jetësuar ndryshimin që pretendon me qeverinë e ardhshme”, tha Abdullahu për FaktePlus.
Më tutje Abdullahu thotë se sloganet ‘Ndryshimi po vjen ‘erdhi dita’ janë vetëm parulla politike, por që do të kishte kuptim sikur LVV-ja të fitonte rreth 40 apo 50 për qind, por kjo në Kosovë nuk është e mundur.
Madje, sipas tij, slogani ‘erdhi dita’, nëse LVV e LDK arrijnë marrëveshje do të jetë ‘erdhi dita me LDK-në.
“Bisedimet me LDK-n, po e vetëdijësojnë LV-në për këtë ‘humbje në tavolinë’ e cila është normale për një forcë e cila ka fituar pak më shumë se një të katërtat e votave. Kjo mund ta zhgënjej LV-në deri në refuzim për të vazhduar tutje në përpjekjen që me LDK ta krijoj qeverinë. Nëse LV pranon që të bëj qeveri me LDK-n atëherë duhet të pranoj se ‘erdhi dita me LDK-n’. Përndryshe do të kemi një qeveri të re me dy qeveri brenda me mospajtime parimore shumë të mëdha të cilat do të stërkeqen vazhdimisht dhe nuk do të jenë as efikase as funksionale”, është shprehur ai.
Sipas asaj që kanë deklaruar dy partitë, janë pajtuar për harmonizimin e programit qeverisës dhe zvogëlimin e Qeverisë në 12 ministri./FaktePlus