Këtë vit pesë gra më shumë në Kuvend, kërkohet zbatimi i Ligjit për Barazi Gjinore
Në zgjedhjet e 14 shkurtit u votua për 120 ulëse në Kuvend, 44 prej të cilave i zunë gratë nga partitë e ndryshme, ndonëse sipas kuotës gjinore 30 gra bëhen pjesë e Kuvendit.
Ndërsa në zgjedhjet e 2019-s pjesë e Kuvendit kanë qenë 39 gra. Mirëpo këtë ndryshim e komentoi edhe Gresë Sermaxhaj, koordinatore për Marrëdhënie me Publikun në Rrjetin e Grave të Kosovës.
Ajo për FaktePlus ka thënë që nëse bëhet krahasim ndërmjet dy palë zgjedhjeve të fundit vërehet një përmirësim i lehtë, por nuk është i mjaftueshëm.
Tutje ajo ka kërkuar që të zbatohet Ligji për Barazi Gjinore në mënyrë që të kemi përfaqësim të drejtë.
“Këtë vit gratë fituan 44 ulëse në parlamentin e Kosovës, duke marrë pesë vende më shumë se në zgjedhjet e kaluara (2019), kur vetëm 39 ulëse u takonin grave. Nëse e bëjmë vetëm këtë krahasim atëherë vërejmë një përmirësim të lehtë. Mirëpo, për ne përfaqësim i drejtë do të arrihet vetëm atëherë kur të kemi zbatim të plotë të Ligjit për Barazi Gjinore (LBGj), diçka për të cilën RrGK, dhe jo vetëm, ka bërë thirrje tash e sa kohë vazhdimisht.”, ka thënë Sermaxhaj.
Sermaxhaj për FaktePlus ka thënë që rritja e numrit të ulsëve të grave shërben si dëshmi e forcës së grave në politikë dhe në procese vendimmarrëse.
“Andaj, rritja e numrit të ulëseve të grave përderisa shërben si dëshmi e forcës së grave në politikë dhe procese vendimmarrëse, po ashtu shërben edhe si tregues e shtysë drejt asaj se kemi ende punë për të bërë rreth përmirësimit të përfaqësimit e pjesëmarrjes aktive së grave në politikë.”, ka thënë Sermaxhaj.
Semaxhaj kërkon që Ligji për Barazi Gjinore të zbatohet edhe në listat zgjedhore të partive që pastaj gratë të kenë mundësi të barabarta për ta rritur pjeëmarrjen e tyre në pozita udhëheqëse.
“Barazia gjinore është e drejtë jetike e secilit prej nesh. Andaj, ne e konsiderojmë më se të nevojshme që qytetarëve t’u jepen fillimisht mundësi të barabarta garimi (kujtojmë mos zbatimin e LBGj-së në listat zgjedhore të partive), që vetëm pastaj gratë të kenë mundësi të barabarta për ta rritur pjeëmarrjen e tyre në pozita udhëheqëse”, ka thënë Sermaxhaj për FaktePlus.
Në fund ajo tha se sa më shumë gra në pozita udhëheqëse mbetet synim dhe nevojë për ne si aktiviste të barazisë gjinore, e për më tepër parakusht për shoqëri demokratike, të lirë e të barabartë.
Sipas rezultateve përfundimtare Lëvizja Vetëvendosje ka më së shumti deputete (23 deputete), ndërsa e dyta është PDK me 6 deputete, pastaj LDK me 5 deputete, ndërsa AAK 3./FaktePlus/
Sa ministre gra do të ketë Qeveria e re? Deklarohet Albin Kurti