Këta janë tre mjekët kosovarë që vdiqën gjatë kësaj jave nga Covid-19 (Foto)
Edhe dy mjekë e kanë humbur jetën mëngjesin e sotëm nga Covid-19 në Kosovë. Kështu tani ka arritur në tre numri i të vdekurve brenda personelit mjekësor. Vdekja e parë është shënuar me 20 korrik. Pra, brenda një jave janë tre mjekë që humbën jetën si pasojë e Koronavirusit në Kosovë.
Mjeku i fundit që ka humbur jetën nga koronavirusi është reumatologu i njohur, Sylejman Rexhepi, i cili ka qenë i shtrirë në Mjekësinë Sportive, ku po trajtohej për rreth 2 javë në gjendje të rëndë.
“Ka qenë në gjendje të rëndë qe dy javë në intensivë në mjekësinë sportive dhe fatkeqësisht sot në mëngjes më njoftuan kolegët që kanë qenë atjë kujdestar se ka ndërruar jetë”, ka deklaruar drejtori i Klinikës së Reumatologjisë, Avni Kryeziu.
Ky është mjeku Sylejman Rexhepi
Kurse po sot pak më herët në mëngjes ka humbur jetën edhe Dr. Ali Tolaj, kirurg në spitalin e përgjithshëm në Gjakovë.
“Tolaj ka punuar si kirurg që nga viti 1988. Ai ka vdekur në moshën 59-vjeçare. I ndjeri Tolaj ishte diagnostikuar me COVID-19”, ka njoftuar sot Spitali i Përgjithshëm në Gjakovë.
Ky është mjeku Ali Tolaj
Ndërsa katër ditë më parë humbi jetën mjeku i parë në Kosovës nga Koronavirusi. Ai është mjeku familjar në Komunën e Vitisë, Fadil Zuka.
“Dr. Zuka i takonte gjeneratës së mjekëve që ishin të persekutuar nga regjimi serb dhe kishin bërë shumë sakrifica për t’ju shërbyer popullatës shqiptare që nga vitet e ‘90-ta. Në kohët më të vështira kishte shërbyer në Ambulanten e Shoqatës Humanitare ‘Nëna Terezë’ në Viti, pastaj në Pozheran”, thuhej në komunikatën e Odës së Mjekëve të Kosovës.
Ky është mjeku Fadil Zuka
Kështu me dy vdekjet e sotme dhe atë të pak ditëve më parë, tashmë në Kosovë ka arritur në tre numri i mjekëve që vdesin si pasojë e Covid-19.
E në Kosovë deri më tani janë rreth 600 profesionistë shëndetësorë që janë të prekur nga virusi, ku prej tyre rreth 200 janë mjekë./FaktePlus