Këta janë pesë mjekët kosovarë që vdiqën nga Covid-19 (FOTO)
Edhe një tjetër mjek e ka humbur jetën mëngjesin e sotëm nga Covid-19 në Kosovë. Kështu tani ka arritur në pesë numri i të vdekurve brenda personelit mjekësor. Vdekja e parë është shënuar me 20 korrik. Pra, brenda vetëm 10 ditësh janë pesë mjekë që humbën jetën si pasojë e Koronavirusit në Kosovë, shkruan FaktePlus.
Mjeku i fundit që ka humbur jetën nga koronavirusi është doktori i Kujdesit Familjar, Kujtim Zarari.
Oda e mjekëve të Kosovës njoftoi se doktor Zarari ka vdekur sot në moshën 51-vjeçare pasi humbi betejën me Covid-19.
Ky është mjeku Kujtim Zarari
Kurse dje humbi jetën mjeku Lulzim Kolgjeraj, si pasojë e infektimit me virusin COVID-19.
“Pas tri javë hospitalizimi në QKUK, betejën ndaj koronavirusit ka humbur një profesionist i dalluar mjekësor, doktor Lulzim Kolgjeraj”, dha lajmin dje kryetari i Prizrenit.
I ndjeri Kolgjeraj kishte shërbyer si mjek i shëndetësisë primare në Prizren për rreth tri dekada dhe ka qenë specialist i mjekësisë familjare në QMF në Gjonaj të Prizrenit.
Ky është mjeku Lulzim Kolgjeraj
Ndërkaq javën e kaluar ka humbur jetën nga koronavirusi reumatologu i njohur, Sylejman Rexhepi, i cili ka qenë i shtrirë në Mjekësinë Sportive, ku po trajtohej për rreth 2 javë në gjendje të rëndë.
“Ka qenë në gjendje të rëndë qe dy javë në intensivë në mjekësinë sportive dhe fatkeqësisht sot në mëngjes më njoftuan kolegët që kanë qenë atjë kujdestar se ka ndërruar jetë”, ka deklaruar në ditën e vdekjes së Rexhepit, drejtori i Klinikës së Reumatologjisë, Avni Kryeziu.
Ky është mjeku Sylejman Rexhepi
Po javën e kaluar ka humbur jetën edhe Dr. Ali Tolaj, kirurg në spitalin e përgjithshëm në Gjakovë.
“Tolaj ka punuar si kirurg që nga viti 1988. Ai ka vdekur në moshën 59-vjeçare. I ndjeri Tolaj ishte diagnostikuar me COVID-19”, ka njoftuar sot Spitali i Përgjithshëm në Gjakovë.
Ky është mjeku Ali Tolaj
Ndërsa para 10 ditësh humbi jetën mjeku i parë në Kosovës nga Koronavirusi. Ai është mjeku familjar në Komunën e Vitisë, Fadil Zuka.
“Dr. Zuka i takonte gjeneratës së mjekëve që ishin të persekutuar nga regjimi serb dhe kishin bërë shumë sakrifica për t’ju shërbyer popullatës shqiptare që nga vitet e ‘90-ta. Në kohët më të vështira kishte shërbyer në Ambulanten e Shoqatës Humanitare ‘Nëna Terezë’ në Viti, pastaj në Pozheran”, thuhej në komunikatën e Odës së Mjekëve të Kosovës.
Ky është mjeku Fadil Zuka
Kështu me vkekjen e sotme dhe atë te djeshme dhe ato të javës së kaluar, tashmë në Kosovë ka arritur në pesë numri i mjekëve që vdesin si pasojë e Covid-19.
E në Kosovë deri më tani janë më shumë se 750 profesionistë shëndetësorë që janë të prekur nga virusi, ku prej tyre rreth 200 janë mjekë./FaktePlus