Këta janë ministrat që shpenzuan përtej limiteve për dreka e darka zyrtare
Vlera maksimale e shpenzimeve të reprezentacionit që i lejohen një ministr-i/e është 500 euro në muaj. Sipas raportit të fundit të GAP-it, në radhën e ministrave, dhjetë sosh i tejkaluan limitet për shpenzime mujore për reprezentacion. Të dhënat janë për vitin 2019.
“Këta janë: Dijana Zivic, Dhurata Hoxha, Rasim Demiri, Adrijana Hodzic, Abelard Tahiri, Ekrem Mustafa, Mahir Yagcilar, Fatmir Matoshi, Muzafer Shala dhe Shyqiri Bytyqi”, thuhet në raportin “Shpenzimet e Qeverisë së Kosovës për Reprezentacion 2019.”.
Shuma më e madhe e tejkaluar është për 4,538 euro në muajin dhjetor, nga Ministrja e Bujqësisë, Dijana Zivic. Pastaj, Abelard Tahiri, Ministër i Drejtësisë, në muajin prill ka tejkaluar shpenzimet për 3,369 euro; Shyqiri Bytyqi, Ministër i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë në muajin gusht tejkaloi shpenzimet për 2,585 euro ndërsa në mars për 1,692 euro; Adrijana Hodzic nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal në muaji korrik tejkaloi shpenzimet për 2,238 euro; Dhurata Hoxha, Ministre e Integrimeve Evropiane në muajin prill tejkaloi shpenzimet për 1,818 euro; Nenad Rikalo, nga Ministra e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në muajin prill tejkaloi shpenzimet për 1,492 euro e kështu me radhë.
Sipas nenit 9 të udhëzimit administrativ, të gjitha shpenzimet e reprezentacionit që e kalojnë vlerën maksimale të lejuar duhet të mbulohen nga vet zyrtari apo zyrtarja që e ka tejkaluar shumën e përcaktuar.